Kurti dhe ambasadori italian pajtohen të ndajnë përvojat me koronavirus

  • 30 March 2020 - 14:56
Kurti dhe ambasadori italian pajtohen të ndajnë përvojat me koronavirus

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.

Gjatë takimit, sipas njoftimit për media, Kurti e ka njoftuar ambasadorin Orlando mbi punën e Qeverisë në detyrë lidhur me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19 dhe masat e vazhdueshme që Qeveria po ndërmerr për parandalimin e shpërndarjes së virusit Corona.

“Kryeministri në detyrë shtoi se të gjitha institucionet e mveshura me përgjegjësi për zbatimin dhe monitorimin e masave të Qeverisë janë në krye të detyrës. Për Qeverinë në detyrë, ruajtja e shëndetit publik mbetet prioritet i padiskutueshëm”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq njoftohet se ambasadori Orlando tregoi gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në mes dy shteteve me qëllim të ndarjes së përvojave të cilat do t’i shërbenin të dy shteteve në uljen sa më efikase të lakores së përhapjes së virusit.

“Ai gjithashtu ripërsëriti falënderimin për solidaritetin që Qeveria dhe populli i Kosovës ka treguar ndaj shtetit dhe popullit të Italisë në këto kohë sfiduese për ta”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)