Këshilltarja i infektohet me koronavirus, vetizolohet Benjamin Netanyahu

  • 30 March 2020 - 15:08
Këshilltarja i infektohet me koronavirus, vetizolohet Benjamin Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe këshilltarët e tij kryesorë janë vetizoluar pasi një këshilltare doli pozitive në testin për koronavirus.

Ky vendim u mor si masë parandaluese dhe zyrtarët thanë se udhëheqësi 70-vjeçar ka pak gjasa të jetë infektuar. Kryeministri me mandatin më të gjatë në histori të Izraelit do t’i nënshtrohet testit, ndonëse ai ishte testuar edhe më 15 mars, kur kishte dalë negativ.

Ndonëse Netanyahu nuk kishte kontakte të ngushta me këshilltaren Rivka Paluch, e cila merret me çështje parlamentare, ai do të vetizolohet derisa të përfundojnë hetimet epidemiologjike.

Ndryshe, Izraeli deri më tani i ka konfirmuar më shumë se 4300 raste të infektimeve dhe 15 viktima të koronavirusit, shkruan “The Guardian”.

Virusi i ri së pari u paraqit në dhjetor të vitit të kaluar në qytetin Wuhan të Kinës. Ai tashmë është përhapur në 177 shtete dhe territore në mbarë botën.

(Kosova Sot Online)