Shtatë policë e 2 punonjës civilë, në vetizolim 14-ditor në Prizren shkaku i koronavirusit

  • 30 March 2020 - 22:32
Shtatë policë e 2 punonjës civilë, në vetizolim 14-ditor në Prizren shkaku i koronavirusit

9 punëtorë të Policisë në Prizren, prej tyre 7 policë e 2 punëtorë civilë janë në vetizolim në këtë komunë.

Njoftimi është dhënë nga drejtori i Policisë rajonale në këtë komunë, Faton Alija, derisa ai ka shtuar se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e ka mbështetur rajonin e Prizrenit me 100 zyrtarë shtesë të uniformuar.

“Nga numri 700 i zyrtarëve policorë që i kemi ne aktualisht, 7 zyrtarë policorë duke përfshirë dhe 2 staf civil janë në vetizolim. Asnjëri nga ta nuk ka simptoma apo nuk është i infektuar me koronavirusin, mirëpo kanë qenë në udhëtime jashtë vendit dhe Qeveria u ka mundësuar kthimin dhe në bazë të udhëzimeve duhet të qëndrojnë 14 ditë në vetizolim”, ka thënë Alija.

Kurse, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu, tha se gjendja në këtë komunë është nën kontroll, duke shtuar se vetëm një person është në vetizolim në fshatin Korishë, pasi është kthyer në Kosovë.

“Nuk ka asnjë personel mjekësor, i cili është i infektuar apo edhe i dyshuar me koronavirusin deri në momentin që po flasim”, tha Shehu.

E kryetari Mytaher Haskuka ka kërkuar disiplinë nga qytetarët, me qëllim që kjo situatë të kapërcehet më lehtë.

“Nuk bën me i relativizu gjërat, nuk bën me e marrë me relaks këtë send. Edhe duhet të jemi vigjilentë. E di që njerëzit ndoshta janë lodhur nga izolimi, por kjo është për të mirën tonë”, u shpreh kryetari Haskuka.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, vetëm 1 person nga Prizreni është i prekur me COVID-19.


(Kosova Sot Online)