Cilat janë shifrat dhe zhvillimet e fundit rreth koronavirusit në botë

  • 31 March 2020 - 09:15
Cilat janë shifrat dhe zhvillimet e fundit rreth koronavirusit në botë

Në bazë të të dhënave më të reja të Universitetit “Johns Hopkins”, mbi 786 mijë njerëz në mbarë botën janë infektuar me koronavirus dhe 37 mijë e 820 kanë vdekur. Për fat të mirë, më shumë se 76 mijë të infektuar janë shëruar.

Sipas një studimi të ri, ku janë përfshirë rastet e vdekjeve dhe infektimeve me koronavirus në Kinë, dëshmohet se rreziku nga sëmundja fillon të rritet që nga mosha e mesme, shkruan “The Guardian”.

Austria e ka bërë të detyrueshme për shitësit që të përdorin maska. Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha se ky është një hap i nevojshëm për ta parandaluar përhapjen e virusit. Shitësit do të furnizohen me maska në hyrje të dyqaneve, kur ta fillojnë punën, duke filluar nga dita e mërkurë.

Sot bëhet një javë që nga dita kur në qytetin Wuhan të Kinës nuk është raportuar asnjë rast i ri i infektimit me koronavirus. Pikërisht në këtë qytet u shënuan rastet e para të virusit që tashmë është përhapur në 177 shtete dhe territore në mbarë botën.

Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se të gjitha përpjekjet për ta luftuar koronavirusin në Sirinë e rrënuar nga lufta po pengohen nga sistemi i brishtë shëndetësor i këtij vendi.

Banka Botërore paralajmëroi se rënia ekonomike e shkaktuar nga pandemia mund të bëjë që rritja ekonomike e Kinës të bie në zero dhe 11 milionë njerët në Azinë Lindore të kaplohen nga varfëria.

(Kosova Sot Online)