Paralajmëron Banka Botërore: Miliona njerëz do të mbeten në varfëri nga koronavirusi

  • 31 March 2020 - 11:19
Paralajmëron Banka Botërore: Miliona njerëz do të mbeten në varfëri nga koronavirusi

Sipas Bankës Botërore, ndikimi ekonomik i përhapjes së koronavirusit do t’ua pamundësoj 24 milionë njerëzve në Azinë Lindore dhe në Rajonin e Paqësorit që t’i shmangen varfërisë.

Banka botërore tha se më të rrezikuar nga varfëria janë njerëzit që varen nga industritë e prekura nga ndikimi i koronavirusit.

Këtu përfshihen turizmi në Tajlandë dhe në ishujt e Paqësorit si dhe prodhimtaria në Vietnam dhe Kamboxhë, shkruan “BBC”.

Kjo bankë bëri thirrje që rajoni të investojë në zgjerimin e fabrikave për prodhimin e pajisjeve mjekësore dhe qeveritë të ofrojnë ndihma për njerëzit e sëmunë në mënyrë që të luftohet përhapja e mëtejme e sëmundjes.

Ndonëse rritja ekonomike në vendet në zhvillim në Azinë Lindore ishte 5.8 për qind vitin e kaluar, Banka Botërore parashikoi që kjo shifër të bie në 2.1 për qind shkaku i gjendjes së tanishme.

Sidoqoftë, parashikimi i saktë i rritjes ekonomike po bëhet i vështirë shkaku i ndryshimit të situatës brenda periudhave të shkurtra kohore.

(Kosova Sot Online)