Uellsianët mbyllen në shtëpi nga koronavirusi, kopeja e dhive ua “pushton” qytetin

  • 31 March 2020 - 15:17
Uellsianët mbyllen në shtëpi nga koronavirusi, kopeja e dhive ua “pushton” qytetin

Policia në Llandudno në veri të Uellsit u detyrua të merrej me një rast të pazakontë në qytet.  Në vend se të detyrohej t’i shpërndante grupet e të rinjve për ta zbatuar karantinën, ata u ngarkuan me detyrën e kontrollimit të një kopje të dhive, të cilat i kishin pushtuar rrugët e qytetit.

Grupi i dhive duket se e ka shfrytëzuar mirë gjendjen e rrugëve të zbrazëta gjatë masave për kufizim të lëvizjes shkaku i përhapjes së koronavirusit.

Dymbëdhjetë dhi u panë pranë një pijetoreje dhe u fotografuan nga Andrew Stuart, i cili edhe e lajmëroi policinë, shkruan “Daily Mail”.

Dhitë madje filluan ta hanin gardhin e gjelbër të një shtëpie derisa nuk u trembën nga forcat e sigurisë.

“Më vjen keq nëse dhitë janë arrestuar, por ato po tregosheshin shumë çapkëne”, shkroi në rrjetet sociale personi që i fotografoi.

Besohet se kopeja e plotë e tyre përbëhet nga 120 dhi që jetojnë në malet e Uellsit Jugor, ndërsa prejardhjen e kanë nga Kashmiri i Indisë.

(Kosova Sot Online)