Kushtetuesja e vazhdon masën e pezullimit të Ligjit për Paga deri më 30 qershor

  • 31 March 2020 - 16:31
Kushtetuesja e vazhdon masën e pezullimit të Ligjit për Paga deri më 30 qershor

Pagat e punëtorëve të sektorit publik do të vazhdojnë që të dalin pa rritje. Arsye për këtë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese që të vazhdojë masën e pezullimit të këtij ligji.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Kushtetuesja ka bërë me dije se ka vendosur të vazhdojë pezullimin e zbatimit të Ligjit për Paga deri më 30 qershor.

“TA VAZHDOJË masën e përkohshme të vendosur me Vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 219/19, të datës të 12 dhjetor 2019, deri më 30 qershor 2020”, thuhet në komunikatë.

Njoftimi i plotë:

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetushmërisë së Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i shpallur në Gazetën Zyrtare më 1 mars 2019, dhe i cili hyri në fuqi nëntë (9) muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Në kërkesën e tij, parashtruesi gjithashtu kërkoi që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për “pezullimin e menjëhershëm” të Ligjit të kontestuar, të cilën kërkesë Gjykata e miratoi pas shqyrtimit të parë, më 12 dhjetor 2019, në kohëzgjatje deri më 30 mars 2020. – Gjykata, pa paragjykim ndaj meritave të kërkesës dhe të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 30 mars 2020, vendosi njëzëri, që: I. TA VAZHDOJË masën e përkohshme të vendosur me Vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 219/19, të datës të 12 dhjetor 2019, deri më 30 qershor 2020; II. TA VAZHDOJË PEZULLIMIN e zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I. Gjykata e konsideroi vazhdimin e masës së përkohshme si të domosdoshëm për dy arsye:

· Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin që Gjykata, pas caktimit të masës së përkohshme, ka pranuar një vëllim të konsiderueshëm të dokumenteve dhe të komenteve të dorëzuara nga palë të ndryshme të interesuara për pranueshmërinë dhe meritat e saj, të cilat duhet të trajtohen në raport me pretendimet e ngritura dhe me dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore.

· Arsyeja e dytë për vazhdimin e masës së përkohshme është volumi jashtëzakonisht i madh i materialeve të pranuara nga Komisioni i Venecias dhe gjykatat kushtetuese/supreme pjesë përbërëse të Forumit të Komisionit të Venecias. Të gjitha këto materiale, përfshirë praktikën legjislative dhe gjyqësore të dorëzuar nga gjykatat anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, duhet të analizohen ashtu që Gjykata të mund t‘i aplikojë ato në rrethanat e rastit konkret, për aq sa do të jenë të aplikueshme.

(Kosova Sot Online)