Nagavci s’përmend shkelje: Kushtetuesja e ka njohur nevojën për masa, zyra ligjore e kryeministrit do të flasë

  • 31 March 2020 - 18:32
Nagavci s’përmend shkelje: Kushtetuesja e ka njohur nevojën për masa, zyra ligjore e kryeministrit do të flasë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV’së, Arbërie Nagavci ka folur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes në orare të caktuara.

Nagavci ka deklaruar se beson që brenda dy javëve qeveria do të jap udhëzime se si do të vazhdohet më tutje.

“Ajo që mendoj që është e mirë është se Gjykata Kushtetuese ka vendos që ky vendim me mbet në fuqi deri me datë 13 prill, pra ne jemi të obliguar që të respektojmë vendimin e marrë nga Qeveria, besoj që brenda dy javëve qeveria do t’i jap udhëzimet për më tutje”, shton ajo.

Nënkryetarja e Kuvendit thotë se zyra ligjore në Qeveri do të jep sqarime më tutje, derisa, thotë se edhe Gjykata e ka njohur nevojën që të merren masa.

“Tani unë besoj që shumë shpejtë, zyra ligjore e kryeministrisë e Qeverisë do të jap sqarime, nuk mund të ndalem tani në komente, sepse s’kemi pas rast me analizu si duhet. Ajo që është e rëndësishme që për shkak të shëndetit publik, duhet edhe dy javë të respektohet vendimi që është në fuqi. Gjykata e ka njohur nevojën për masa dhe ka kërkuar që kjo të bëhet me ligj. Përpara se të ngutemi për të dhënë konstatime duhet të mbajmë vëmendjen te respektimi i të gjitha sugjerimi i ekspertëve”, thotë ajo.


(Kosova Sot Online)