Një shkencëtare paralajmëron se “spërkalat e coronavirusit” mund të mbërrijnë deri në 8 metra

  • 01 April 2020 - 08:06
Një shkencëtare paralajmëron se “spërkalat e coronavirusit” mund të mbërrijnë deri në 8 metra

Udhëzimi i distancës sociale për të qëndruar 1 metër larg nga të tjerët, mund të mos jetë i mjaftueshëm, paralajmëron një shkencëtare, pasi deklaron se coronavirusi mund të mbërrijë në 8 metra dhe të mbijetojë me orë të tëra.

Sipas mediave të huaja, profesoresha e asocuar, Lydia Bourouiba, e cila ka hulumtuar me vite dinamikën e kollës dhe teshtitave, paralajmëron në hulumtimin e publikuar së fundmi se udhëzimet aktuale janë të bazuara në modele të vjetëruara nga vitet e 30-ta. 

Ajo thotë se pikat që sjellin patogjenin mund të “kërcejnë” deri në 8 metra.

Hulumtimi i saj i botuar në “Journal of the American Medical Association”, paralajmëron se spërkalat që vendosen përgjatë trajektores mund të kontaminojnë sipërfaqet, dhe mbetjet ose bërthamat e pikave mund të qëndrojnë në ajër për orë të tëra.

Bourouiba shënon një raport të vitit 2020 nga Kina, që tregon se grimcat e virusit mund të gjenden në sistemet e ventilimit në dhomat spitalore të pacientëve me Covid-19.

Ajo potencon se udhëzimet aktuale janë thjeshtësuar shumë dhe mund të kufizojnë efektivitetin e ndërhyrjeve të propozuara kundër pandemisë vdekjeprurëse.

“Ekziston një urgjencë për rishikimin e udhëzimeve që janë plasuar nga Organizata Botërore e Shëndetit dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, për nevojat e pajisjeve mbrojtëse veçanërisht për punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë”, tha Bourouiba për USA Today.

Bourouiba ka shtuar se shpejtësitë e pikave mund arrijnë 10 deri në 30 metra në sekondë dhe maskat kirurgjikale dhe N95 të përdorura aktualisht nuk janë testuar për këto karakteristika të mundshme të emetimeve të frymëmarrjes.

Organizata Botërore e Shëndetit e cila sugjeron se 1 metër ose 2 është e mjaftueshme për të qëndruar në distancë, u deklaua për USA Today se ka mirëpritur studimet e reja.

“OBSH monitoron me kujdes provat e reja në lidhje me këtë temë kritike dhe do të azhurnojë këtë informacion të shkurtër shkencor pasi të mbledhen më shumë informacione”, tha WHO në një deklaratë për gazetën.

(Kosova Sot Online)