Kurti i kryen konsultimet me Thaçin: S’ka asnjë alternativë përveç zgjedhjeve

  • 01 April 2020 - 10:43
Kurti i kryen konsultimet me Thaçin: S’ka asnjë alternativë përveç zgjedhjeve

Kreu i Qeverisë në detyrë, Albin Kurti ka folur para mediave pas takimit që pati me të parin e shtetit, Hashim Thacin në presidencë.

Kurti tha se kanë biseduar me Thacin fillimisht për situatën pas përhapjes së koronavirusit në vend.

Ai thotë se pyetjes së presidentit për një qeveri të re, iu janë përgjigjur negativisht duke deklaruar se bashkë mund të bisedojnë vetëm për zgjedhje të reja.

“Pyetjeve dhe përpjekjeve të presidentit që ne të flasim për mundësinë për qeverinë te rë për kandidatura të reja u jemi përgjigjur me qëndrimin tonë për të cilin jemi të bindur që është jo vetëm i drejtë por edhe i vetmi në bazë të kushtetutës, nuk mund të kapërcejnë diku tjetër duke mohuar nenin 82 pika 2 të Kushtetutës, që thotë se pas një mocioni të mosbesimit ajo çfarë ngelet është të shkohet në zgjedhje të reja. Të bindur se Kushtetuta nuk krijon  mundësinë në kontekstin aktual politik që ne të kemi qeveri të re, pa zgjedhje të reja”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se edhe presidenti është zotuar që të veprojë sipas Kushtetutës.

“Presidenti u zotua se do ta respektojë kushtetutën.

Të gjithë e dimë cilat janë praktikat e mëhershme edhe në vitin 2010 edhe në vitin 2017 me mocion ka rënë qeveria dhe më pas është shpërnda kuvendi dhe janë shpallë zgjedhjet, e theksuam këtë qëndrim tonin. Presidenti nuk duhej të merrej me emra njerëzish e partisë, por, me data për zgjedhjet e reja në kalendarin e këtij viti, e dimë që ndodhemi në betejën intensive kundër koronavirusit dhe mbase kjo do të mund ta shtyjë ca datën e zgjedhjeve mirëpo, kushtetuta besojmë që nuk krijojnë mundësi apo alternativa tjera”, ka thënë Kurti.

Kreu i Qeverisë në detyrë shtoi se nëse ju kërkohet që të bisedojnë për tema tjera pos asaj të koronavirusit dhe të shpërndarjes së Kuvendit, këtë do ta bëjnë vetëm me shkrim.

“Tash besoj duhet të jemi të kujdesshëm kë e citojmë dhe si e citojmë prej atyre që ju i keni në mendje me emra konkret, por te ne i paraqitni si interpretues të Kushtetutës. Për nenin 82.2 jemi të gatshëm të takojmë hapur gjerë e gjatë për presidentin, ndërkaq, jashtë temës së këtij neni dhe jashtë temës së luftimit të përhapjes së COVID 19 deklaruam se jemi të gatshëm të diskutojmë vetëm me shkrim, që të eliminojmë çfarëdo mundësie për keqkuptim apo pasaktësi. Pra jemi të gatshëm të bashkëbisedojmë, veçse me shkrim nëse tema për të cilën do presidenti është jashtë këtyre. Është gabim të shkohet në nenin e 6-të pa e kaluar kapitullin e 4-tët që është Kuvendi”, ka thënë Kurti.

(Kosova Sot Online)