Thaçi: Nuk jam marrë në pyetje nga Gjykata Speciale – nëse më thërrasin s’jap dorëheqje

  • 01 April 2020 - 22:36
Thaçi: Nuk jam marrë në pyetje nga Gjykata Speciale – nëse më thërrasin s’jap dorëheqje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për punën e Gjykatës Speciale dhe për marrjen në pyetje të ish-figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thaçi ka thënë, se deri më tash nuk ka marrë asnjë thirrje nga Haga.

“Nuk jam marrë në pyetje. Por, është krejt normale të dërgohet ftesa”, është shprehur Thaçi.

“Jam intervistuar, në rastin e zotëri Limaj, z. Haradinaj, në Hagë, pastaj në Kosovë prapë në rastin e zotit Limaj, dhe për një çështje gjithashtu që ndërlidhej me krimet e pretenduara të luftës”, ka thënë ai.

“Jam përgjigjur pozitivisht, jam intervistuar, është përmbyllur marrja në pyetje në cilësinë e dëshmitarit”, ka treguar Thaçi.

Ai ka thënë se do t’i përgjigjej një thirrjeje të mundshme të Gjykatës Speciale për t’u marrë në pyetje.

“Nëse vjen ftesa, do t’i përgjigjem pozitivisht edhe unë, si të gjithë bashkëluftëtarët e tjerë”, ka deklaruar Thaçi.

I pyetur nëse do të jepte dorëheqje nga posti i presidentit, nëse i vjen ftesa, Thaçi ka mohuar një mundësi të tillë.

Ai ka thënë se nuk do ta ndjekë shembullin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për të dhënë dorëheqje, pas ftesës që mori nga Specialja.

“As ndërmend s’e kam, pse të jap dorëheqje? Intervistimi është krejt normal”, është shprehur ai. 

(Kosova Sot Online)