Flet Limaj pas takimit me Thaçin: Të shmangen zgjedhjet, kemi disa kushte për t’u bërë pjesë e Qeverisë

  • 02 April 2020 - 12:01
Flet Limaj pas takimit me Thaçin: Të shmangen zgjedhjet, kemi disa kushte për t’u bërë pjesë e Qeverisë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka folur para mediave pas takimit që pati me presidentin e vendit, Hashim Thaçin.

Limaj ka deklaruar se Nisma ka kërkuar nga presidenti kanë kërkuar që të respektohet Kushtetuta.

“Iu kam përgjigjur ftesës së presidentit për takimet që është duke mbajtur tash e dy ditë, takimi i sotëm ishte me fokus të ngjarjeve pas mocionit për shkarkimin e qeverisë. Presidenti dëshiroi të dëgjojë mendimin tonë rreth asaj se si duhet të ecim, cili është qëndrimi i Nismës, ne mbi të gjitha mendojmë që duhet të respektohet kushtetuta që është e qartë në situata të tilla, fatmirësisht nuk kemi asnjë problem ose mos qartësi në Kushtetutë. Ne kërkuam që të respektojë Kushtetutën dhe hapat që duhet ndjekur”, ka deklaruar ai.

Limaj thotë se në këtë situatë, partia në të cilën ai udhëheq është që të shmangen zgjedhjet e reja.

“Në situatën në të cilën jemi duke marrë qëndrimin edhe të grupeve tjera, Nisma beson që presidenti duhet kujdesshëm të shqyrtojë mundësinë që t’i shmangë zgjedhjet. Kosova në këtë rast ne si drejtues politik duhet të kemi parasysh që të ruajmë kompetencën e secilit institucion”, ka shtuar ai.

Kreu i Nismës, thotë se për këtë temë ka vendosur parlamenti, e nuk mund të vendosin as qeveria e as presidenti.

“Parlamenti është institucioni më i lartë dhe as qeveria as presidenti nuk mund të uzurpojë as të tentojë të mbi vendoset mbi parlament.

Zemra e kushtetutës është parlamenti, askush e për asgjë nuk mund ti uzurpojë kompetencat e parlamentit. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos lejojmë asnjë institucion të mbi vendoset parlamentit sepse do të futeshim në një krizë të thellë. Në të kaluarën Kosova vazhdimisht ka pasur zgjedhje të parakohshme.

Zërat që po dëgjojmë ne për shkak të interesave momentale, është rrezik me i dhanë presidentit këtë kompetencë., duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta lexojmë ta interpretojmë dhe ta ruajmë kushtetutën dhe ajo ruhet kur vendos parlamenti. Siç e dini nga deklarimet që kemi pasur deri më tani shumica e deputetëve dëshirojë zgjidhje tjetër jo shpërndarje të parlamentit.

Vetëm deputetët me 2/3 e shpërndajnë parlamentin, as presidenti e askush tjetër”, ka thënë tutje.

Sipas tij, Nisma ka disa kushte nëse ju kërkohet që të bëhen pjesë e qeverisë së re.

“Nisma është e gatshme për të dhënë kontributin e vet, natyrisht i ka disa kushte që nëse vijnë deri te diskutimi do t’i shpalosin para atyre që janë të gatshëm të formojnë qeverinë e re. Është mirë të gjitha grupet të kemi një qeveri sa më gjithëpërfshirëse”, ka shtuar Limaj.

(Kosova Sot Online)