Mjeku i QKMF’së së Prizrenit në karantinë pas kontakteve me vjehrrin e infektuar, kolegët e tij pritet t’i nënshtrohen testit

  • 02 April 2020 - 12:18
Mjeku i QKMF’së së Prizrenit në karantinë pas kontakteve me vjehrrin e infektuar, kolegët e tij pritet t’i nënshtrohen testit

Para dy ditësh, është konfirmuar rasti i parë me koronavirus në Prizren. I infektuari është një stomatolog, i cili ishte kthyer nga një pushim në Bullgari. I njejti ka pasur kontakt me një prej mjekëve të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, përkatësisht urgjencës. Mjeku në fjalë tashmë është në vetëizolim dhe testimi i tij pritet të bëhet nesër. Nëse rezultati del pozitiv, do të testohen të gjithë personat që kanë pasur kontakt me të.

Firdeze Haxhimagjun Skenderi, e cila pretendon se është mjeke, sot ka denoncuar një prej mjekëve të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, përkatësisht urgjencës, se ka rrezikuar shëndetin e 45 punëtorëve të urgjencës dhe pacientëve, meqenëse nuk ka treguar se ka pasur kontakt me të infektuarin me COVID-19.

Sipas saj, stomatologu i infektuar me koronavirus, e ka festuar ditëlindjen më 24 mars dhe në këtë aheng familjar kishte marr pjesë edhe një mjek i QKMF-së, i cili nuk iu kishte treguar kolegëve të tij deri në ditën kur stomatologu kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.

Thotë se për shkak se kolegët në QKMF kanë pasur kontakt me mjekun në fjalë, tani janë detyruar që të vetkarantinohen derisa të kryejnë analizat në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, derisa ka treguar se mjeku në fjalë ka punuar edhe me pacientë për çdo ditë nga ora 07:00 deri në 15:00.

Por, këto deklarime i ka mohuar Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu.

Në një prononcim për Express, Shehu ka thënë se Firdeze Haxhimaxhun-Skenderi nuk është fare punëtore e QKMF’së dhe se nuk e di arsyen pse ajo ka bërë një postim të tillë.

Shehu tregon se doktori në fjalë është në vetëizolim që nga dita kur është konfirmuar rasti i parë në këtë komunë. Thotë se testimi i tij do të bëhet nesër dhe se nëse rezultati del pozitiv, do të testohen të gjithë personat me të cilët ka pasur kontakt.

Deklaron se para se të jetë në izolim, doktori ka pasur kontakte me pacientë, por se gjithëherë ka qenë me pajisje mbrojtëse.

“Zonja në fjalë nuk është fare mjeke. Nuk punon te ne fare. Doktori në fjalë është në vetëizolim që nga dita kur është konfirmuar rasti i parë në Prizren, meqenëse me të infektuarin ka lidhje familjare, e ka pra vjehërr. Para kësaj date ai ka kontrollu pacientë, por gjithëherë me masa mbrojtëse. Nesër do të bëhet testimi i tij dhe nëse rezultati del pozitiv, atëherë do të testohen të gjithë ata me të cilët ka pas kontakt”, ka thënë Shehu.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 13 raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 125.

Rastet pozitive janë raste kontakti, 11 prej të cilëve me vendbanim në Topanicë, 1 me vendbanim në Prishtinë dhe 1 me vendbanim në Gjakovë.

“Nga data 08.02.2020 deri me 01.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.380 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 125 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç”, thuhet në njoftimin e IKSHP’së.

(Kosova Sot Online)