Korisha e Prizrenit në karantinë

  • 02 April 2020 - 23:11
Korisha e Prizrenit në karantinë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka njoftuar se fshati Korishë është shpallur zonë karantinë. Gjatë ditës së martë një rast ka rezultuar pozitiv për infektimin me koronavirus nga ky fshat.

Sipas Haskukës në këtë rast personeli i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk ka arritur të gjejë përgjigje nga është burimi i infektimit, prandaj dhe Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë vendim që fshati Korishë të shpallet zonë karantinë.

“Sot kemi pasur rastin e tretë me virusin COVID-19 në komunën e Prizrenit, respektivisht me vendbanim në Korishë. Ndryshe nga 2 rastet e tjera kur është konstatuar burimi i infektimit dhe janë identifikuar të gjitha kontaktet, në rastin e fundit personeli nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk ka arritur të gjejë përgjigje nga është burimi i infektimit. Prandaj me rekomandimin e IKShPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Ministria e Shëndetësisë sot ka nxjerrë vendim që fshati Korishë të shpallet zonë karantinë, nëpërmjet së cilit ndalohen hyrje-daljet dhe ndalohet lëvizja në fshat. Vendimi hyn në fuqi nga sot dhe obligohen të gjithë t’i respektojnë masat”, ka shkruar Haskuka në rrjetet sociale.

Sipas tij këto masa janë për parandalim dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe ka bërë thirrje që ato të respektohen.

Gjithashtu ka apeluar që të gjithë kontaktet e personit të vetizolohen për dy javë, dhe nëse kanë simptome të telefonojnë në numrin 038 200 80 800.

(Kosova Sot Online)