Shtyhet pagesa e qirave për 2 muaj, qiradhënësi gjobitet pesëfish nëse refuzon

  • 03 April 2020 - 11:23
Shtyhet pagesa e qirave për 2 muaj, qiradhënësi gjobitet pesëfish nëse refuzon

Në Shqipëri ka hyrë në fuqi prej ditës së djeshme akti normativ i cili shtyn pagesat e qirasë së muajit prill dhe maj 2020 për 3 kategori.

Nga ky akt normativ përfitojnë të gjithë qiramarrësit individë, të cilët kanë kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës–qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, që kanë kontratë pune por e kanë pezulluar/zgjidhur atë si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020.

Të gjithë qiramarrësit studentë, të cilët kanë kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës–qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020.

Të gjithë qiramarrësit persona fizikë/juridikë me të ardhura deri në14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, dhe e kanë ndaluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020.

Kur paguhet detyrimi I prapambetur – Detyrimi i prapambetur I këtyre dy muajve do të paguhet nga qiramarrësi, në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin, pas muajit maj2020. Për ato kontrata që përfundojnë përpara afatit 31 maj 2020, detyrimi I prapambetur do të paguhet nga qiramarrësi brenda tre muajve pas datës 31 maj 2020.

Nese qiradhenesi refuzon – Të gjithë qiramarrësit e përcaktuar në këtë pikë, të cilët kanë ankesë për qiradhënësin si pasojë e moszbatimit të detyrimeve të mësipërme, do t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nëpërmjet komunikimit elektronik.

Qiradhënësit, të cilët nuk e zbatojnë këtë pikë, dënohen me gjobë në masën e pesëfishit të qirasë mujore përkatëse.

Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për ndjekjen dhe zbatimin e parashikimeve të kësaj pike dhe nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse.

(Kosova Sot Online)