Mosha e të infektuarve me koronavirus, dy prej tyre i takojnë moshës nën 6 vjeçare

  • 04 April 2020 - 07:52
Mosha e të infektuarve me koronavirus, dy prej tyre i takojnë moshës nën 6 vjeçare

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka dhënë detaje lidhur me moshën e të infektuarve me koronavirus në Kosovë. Sipas tij, dy prej pacientëve të hospitalizuar i takojnë moshës nën gjashtëvjeçare.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka bërë me dije se grupmosha e të prekurve me Covid -19 që kanë pasur nevojë më shumë për tretman spitalor është ajo mbi 70 vjeç.

“Ka numër të barabartë të pacientëve të grupmoshave prej 30-39 vjeçe deri në 60-69 vjeçe. Në Klinikë deri tash nuk ka pasur të hospitalizuar asnjë pacient me Covid nga grupmosha 10-19 vjeç”, ka shkruar Hoti.

Ai ka treguar se nga 13 marsi e deri më 3 prill, në këtë klinikë ka vdekur vetëm një pacient i prekur nga Covid-19, i njëjti ka pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas mesnate ka konfirmuar edhe tri raste të reja me koronavirus, dukë bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 135. Që nga 8 shkurti, në laboratorin e IKSHP’së, janë testuar 1 mijë e 743 mostra të dyshimta për COVID-19.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Instituti ka njoftuar se mbrëmë janë testuar 138 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Infektivë dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, tri prej të cilave kanë rezultuar pozitive.

Rastet janë raste kontakti dhe të infektuarit janë nga Mitrovica e Veriut.

“Sot më 04.04.2020 (01:30 pas mesnate), në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR (testimi 2), janë testuar 138 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, tre (3) prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online )