U parashikuan deri më 19 prill, por çdo të ndodhë me masat kufizuese në Evropë?

  • 04 prill 2020 - 10:59
U parashikuan deri më 19 prill, por çdo të ndodhë me masat kufizuese në Evropë?

Masat kufizuese në krizën e Coronës do të mbeten të pandryshuara deri më 19 prill. Po pastaj? Një grup ekspertësh gjermanë paraqiti një plan për heqjen e tyre. Megjithatë ky proces do të zgjasë mjaft kohë.

Kufizime drastike, ndërmarrje, dyqane dhe restorante të mbyllura në masë të gjerë, gjithnjë e më shumë të papunë, një nivel i papërfytyrueshëm borxhi shtetëror – përhapja e virusit Corona po e rëndon shumë ekonominë dhe shoqërinë gjermane dhe të shumë vendeve të botës dhe rreziku i dëmeve të pariparueshme po rritet çdo ditë.

Për sa kohë mund ta përballojë Gjermania një gjendje të tillë? Për këtë pyetje diskutuan edhe 14 ekspertë, të cilët nën drejtimin e Institutit Ifo në Munih, hartuan një strategji ndërdisiplinore për heqjen e masave kufizuese. Grupi i eskpertëve përbëhet nga ekonomistë, mjekë, psikologë socialë dhe juristë. Përfundimi i tyre: “Pas gjithë gjasash, kthimi në normalitet ka nevojë për një periudhë afatgjatë dhe mund të arrihet vetëm me përpjekje dhe kosto të konsiderueshme”.

Presidenti i Institutit Ifo, Clemens Fuest, llogarit se çdo ditë që Gjermania kalon në izolim i shkakton vendit dëme në miliarda. Dhe se sa më tepër të zgjasë pauza ekonomike, aq më serioze do të jenë pasojat për konjunkturën. Por nëse në Gjermani hiqen plotësisht kufizimet aktuale, virusi mund të përhapet përsëri shumë shpejt në radhët e popullsisë e cila është kryesisht jo imune dhe mund të shkaktojë një numër të madh të sëmundjesh serioze, shkruajnë eskpertët në rekomandimet e tyre prej 30 faqesh. Sipas tyre një vaksinim efektiv ose një terapi e zbatueshme gjerësisht nuk do të jenë në dispozicion përpara vitit 2021.

Një akt i vështirë ekuilibri

Nisur prej këtyre fakteve strategjia për heqjen e masave kufizuese duhet të jetë “fleksibël dhe e adaptueshme ndaj rrezieve”. Ekspertët rekomandojnë “zbatimin gradual të një strategjie të bazuar në rrezikun aktual, e cila kombinon një zbutje të kufizimeve në sferën sociale dhe ekonomike të shoqëruar me mbrojtjen e vazhdueshme dhe efektive të shëndetit të qytetarëve.” Kjo do të thotë se fillimisht do të zbuten vetëm masat kufizuese që shkaktojnë dëmet më të mëdha. Por se në rast se vihet re një përhapje e re e virusit kufizimet do të rivendosen përsëri.

Sektorët e lehtësimeve

Konkretisht eskspertët propozojnë që së pari zbutja e kufizimeve të fillojë në sektorë me rrezik të ulët infeksioni, si për shembull në fabrika me prodhim të automatizuar, si dhe në sektorët e prodhimit të mallrave me vlerë të lartë. Po ashtu prioritet do të ketë në Gjermani shtimi masiv i prodhimit të veshjeve dhe maskave mbrojtëse dhe sigurimi i kapaciteteve prodhuese për vaksina dhe ilaçe.

Ekspertët e konsiderojnë edhe rihapjen sa më shpejtë të kopshteve dhe të shkollave si parakusht për rimëkëmbjen e ekonomisë. Hapja e tyre lidhet edhe me faktin se të rinjtë rrezikohen më pak prej Covid-19. Nga ana tjetër njerëzit që paraqesin rrezikshmëri të lartë ndaj sëmundjes duhet të qëndrojnë të izoluar për më gjatë dhe për ta duhet të ofrohen ndihma shtesë dhe fonde përkatëse.

Jo vendime të përgjithëshme dhe të centralizuara

Vendimet se kur dhe në cilat zona mund të rihapen fabrikat dhe të rifillojë prodhimi, do të varen gjithashtu nga kriteret rajonale. Cili është niveli i infeksionit në zonë? Sa është përhapur virusi? Sa vetë janë imunizuar? A ka spitale dhe mjekë të mjaftueshëm për të trajtuar personat e infektuar? Rajonet që u japin përgjigje të kënaqshme këtyre pyetjeve do të lejohen të zbatojnë më shpejt sesa rajonet e tjera masat lehtësuese. Po ashtu ata që mund të punojnë pa probleme nga shtëpia duke përdorur teknologjitë digjitale duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi edhe më të gjatë. Si mjaft të rëndësishme ekspertët konsiderojnë transparencën dhe komunikimin e vendimeve me kohë në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të përgatiten për rifillimin e punës dhe të marrin masat përkatëse./DW/

(Kosova Sot Online)