Haziri tregon gjendjen e qytetares nga Gjilani të ardhur nga Zvicra që është prekur me COVID-19

  • 04 April 2020 - 13:07
Haziri tregon gjendjen e qytetares nga Gjilani të ardhur nga Zvicra që është prekur me COVID-19

Kryetari i Gjilanit ka njoftuar për një rast pozitiv të një qytetareje të Gjilanit e cila ka qenë në vizitë në Zvicër.

E prekura me Covid-19 ka dalur pozitive në testin e IKSHP’së për koronavirus dhe është futur mbrëmë në karantinën që gjendet në Qendrën e Studentëve pasi ka arritur në aeroport.

Haziri ka thënë se e infektuara nuk ka pasur kontakte me familjen në Kosovë dhe është izoluar në Qendrën e Studentëve.

“Ajo nuk ka pasur kontakt me familjen në Kosovë dhe për momentin gjendja e saj është stabile dhe nuk ka simptoma të mëdha”, ka thënë Kryetari i Gjilanit.

E prekura me koronavirus e çon në 16 numrin e rasteve pozitive nga komuna e Gjilanit.

Deri tash në Kosovë janë prekur 135 persona me koronavirus, një ka vdekur, kurse 16 janë shëruar. Së pari virusi është lajmëruar në Klinë e Viti. Pastaj Malishevë, Podujevë, Gjakovë, Prishtinë, Lipjan. Në gjithë botën janë prekur më shumë se një milion njerëz prej kësaj sëmundjeje ngjitëse, prej të cilëve 226 mijë janë shëruar ndërsa 59 mijë kanë vdekur.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit.  Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.

(Kosova Sot Online)