Shkencëtari suedez që po e lë vendin pa masa kritikon Britaninë: Shumë jeni izoluar

  • 05 April 2020 - 11:06
Shkencëtari suedez që po e lë vendin pa masa kritikon Britaninë: Shumë jeni izoluar

Shkencëtari që është duke e udhëhequr luftën me koronavirusin në Suedi beson se masat e izolimit në Britani kanë shkuar shumë larg dhe thotë se qeveria britanike është dashur ta zbatojë strategjinë fillestare.

Epidemiologu Anders Tegnell, 63-vjeçar, flet në emër të institucioneve gjatë konferencave për gazetarë në Stokholm, duke i lënë politikanët në plan të dytë, shkruan “Daily Mail”.

Duke u bazuar në këshillat e tij, Suedia ka vendosur që të mos i mbyllë shkollat, restorantet, bizneset dhe sallat e sporteve, duke shpresuar se qytetarët do ta luftojnë përhapjen e virusit përmes distancimit social dhe higjienës së mirë.

Si për ironi, ky shkencëtar është shkolluar në Britani. Ai ka diplomë master në epidemiologji nga Shkolla Londineze e Mjekësisë Tropikale.

Gjatë një interviste, ai tha se Suedia është duke e ndjekur planin fillestar të Britanisë dhe ishte i zhgënjyer kur Mbretëria e Bashkuar e ndryshoi strategjinë papritmas.

“Jam shumë skeptik për izolimin, por edhe nëse e bëni, duhet ta bëni në fazë të hershme”, tha ai duke iu referuar masave që janë marrë në Britani.

(Kosova Sot Online)