Sindikata e RTK’së i kërkon Kryeministrit të ndërhyjë në mbrojtjen e të punësuarëve në television

  • 05 April 2020 - 18:01
Sindikata e RTK’së i kërkon Kryeministrit të ndërhyjë në mbrojtjen e të punësuarëve në television

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, sot ka shkuar në vizitë në televizionin publik. Sindikata e RTK-së i ka kërkuar Kurtit që të ndërhyjë në mbrojtjen e të punësuarëve në televizion

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga sindikata e RTK-së.

“Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së në përbërje të kryetarit Fadil B.Hoxha, nënkryetares Albana Murseli dhe anëtares së kryesisë Fiorda Domi, janë takuar sot me kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti. Sindikalistët konsideruan si të domosdoshme që në këtë kohë të pandemisë globale, institucionet e vendit të bashkëpunojnë ngushtë me njëra tjetrën, në mënyrë që këtë situatë ta kalojmë me sa më pak pasoja”, thuhet në njoftim.

Ata kanë kërkuar nga Kurti që Inspektorati i Punës të jetë në mbrojtje të ligjit të punës dhe të drejtaver të puëntorëve.

“Sindikalistët kërkuan nga kryeministri Kurti, që mekanizmat ligjorë të cilat funksionojnë në kuadër të Qeverisë, konkretisht Inspektorati i Punës, të jetë më shumë se kurrë në mbrojtje të ligjit të punës dhe të drejtave të punëtorëve të cilat po shkelen nga punëdhënësit edhe në këtë kohë të pandemisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se sindikalistët janë të vetëdijshëm për pushtetet e ndara, por ata kërkojnë të mbrohen si punëtorë.

“Sindikalistët u shprehen të vetëdijshëm për pushtetet e ndara të ekzekutivit dhe të medieve, por megjithatë sipas tyre të punësuarit në medie para se të jenë gazetarë apo kameramanë, ata janë punëtorë dhe ndaj tyre duhet të respektohet ligji i punës”, thekson komunikata.

Ndërkohë, pas përplasjeve të ditëve të fundit Kryeministri Albin Kurti ka shkuar në objektin e Televizionit Publik. E ka takuar Drejtorin Gjeneral të RTK’së, Ngadhnjim Kastratin. Për këtë vizitë s’kishte njoftuar Qeveria dhe as Vetëvendosje.

RTKlive shkruan se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe anëtarët e kabinetit qeveritar kanë vizituar RTK-në ku janë pritur nga drejtori i përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati.

Kurti shoqërohej nga ministrat Bislimi, Vitia, Hajdari, Bajrami dhe zëvendësministrja Hoxha.

Gjatë diskutimit të tyre u fol për bashkëpunimin sa më të mirë në kohë pandemie me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve.

Radio Televizioni Publik i Kosovës u vlerësua për kontributin që po jep në mbështetje të mësimit në distancë dhe për pandeminë.

Delegacioni qeveritar më pas vizitoi ambientet e RTK-së për të parë kushtet në të cilat zhvillohet puna aty.


(Kosova Sot Online)