Kryeinfektologu amerikan: Koronavirusi mund të bëhet sëmundje sezonale

  • 06 April 2020 - 09:24
Kryeinfektologu amerikan: Koronavirusi mund të bëhet sëmundje sezonale

Dr.Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, ka paralajmëruar se koronavirusi mund të shndërrohet në sëmundje sezonale, duke e theksuar nevojën urgjente për gjetjen e një vaksine dhe trajtimeve efektive.

Ai tha për televizionin CBS se edhe kur virusi të vendoset nën kontroll, bota ende duhet të jetë e përgatitur për kthimin e tij. “Derisa nuk e vendosim nën kontroll në nivel global, ka gjasa të mira që virusi të marrë një natyrë sezonale”, tha Fauci.

Kryeinfektologu gjithashtu pranoi se qeveria amerikane ende nuk ka arritur ta marrë kontrollin e përhapjes. “Po përpiqemi ta vëmë nën kontroll dhe ky është problemi që e kemi në dorë tash për tash”, tha ai.

Ai u bëri thirrje amerikanëve që të vazhdojnë t’i respektojnë rregullat e distancimit social që të parandalohet përhapja më e madhe, shkruan “Daily Mail”.

Shtetet e Bashkuara aktualisht janë në vendin e parë në botë sa i përket numrit të të infektuarve me mbi 337 mijë të prekur.

(Kosova Sot Online)