Indonezia goditet nga një tërmet i fuqishëm prej 6.1 ballësh

  • 06 prill 2020 - 11:11
Indonezia goditet nga një tërmet i fuqishëm prej 6.1 ballësh

Një tërmet i fuqishëm prej 6.1 ballësh të Rihterit e ka goditur pjesën lindore të Indonezisë në mëngjesin e së hënës.

Lajmin e konfirmoi Agjencia për Gjeofizikë, Meteorologji dhe Klimatologji e këtij shteti aziatik.

Epiqendra e tërmetit ishte 122 kilometra në jugperëndim të Jailolo-s dhe në thellësi prej 10 kilometrave.

Agjencia nuk ka lëshuar ende alarm për cunami të mundshëm dhe nuk është raportuar për viktima apo dëme materiale, shkruan “Anadolu”.

Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë”, që është zona me aktivitetin më të lartë sizmik në botë, prandaj goditet shpesh nga tërmetet.

Në shtator të vitit të kaluar, 36 persona vdiqën nga tërmeti prej 6.8 shkallëve që ndodhi në qytetin Ambon të Indonezisë.

(Kosova Sot Online )