“Sindromi K”, sëmundja e rreme që shpiku mjeku italian për t’i shpëtuar çifutët nga nazistët

  • 06 April 2020 - 16:08
“Sindromi K”, sëmundja e rreme që shpiku mjeku italian për t’i shpëtuar çifutët nga nazistët

Në vjeshtën e vitit 1943, ushtarët gjermanë në Itali filluan t’i rrethonin çifutët italianë dhe t’i dërgonin në kampet e përqendrimit gjatë pushtimit gati dyvjeçar të nazistëve. 10 mijë prej tyre u dërguan në ato kampe, ndërsa shumica nuk u kthyen më. Megjithatë, një grup mjekësh në Romë i shpëtuan së paku 20 çifutë nga një fat i ngjashëm, duke i diagnostikuar ata me Sindromin K, një sëmundje vdekjeprurëse ngjitëse.

Spitali Fatebenefratelli, i vjetër 450 vjet, ndodhet në një ishull të vogël në mes të Lumit Tiber në Romë. Kur nazistët kishin hyrë në këtë zonë në tetor të vitit 1943, një grup çifutësh shkuan në spitalin katolik, ku shpesht iu dhanë dosjet ku shkruhej “Sindromi K”.

Kjo sëmundje nuk ekzistonte në asnjë libër të mjekësisë apo në tabelat e mjekëve. Në fakt, ajo nuk ekzistonte fare. Ishte një emër i koduar, i shpikur nga mjeku dhe aktivisti anti-fashist, Adriano Ossicini, për ta bërë dallimin mes pacientëve të vërtetë dhe atyre që fshiheshin nga pushtuesi.

Sëmundja e rreme imagjinohej lehtë: Dhomat ku qëndronin ata që gjoja se vuanin nga Sindromi K ishin të cilësuara si të rrezikshme dhe me sëmundje ngjitëse, duke i bindur inspektorët nazistë që të mos futeshin brenda tyre. Fëmijët çifutë ishin këshilluar të kolliteshin në mënyrë të rreme duke u dukur sikur janë të sëmurë me tuberkuloz, kur ushtarët kalonin nga spitali.

“Nazistët mendonin se këta persona kishin kancer apo tuberkuloz dhe iknin si lepujt”, kishte thënë Vittorio Sacerdoti për BBC-në në vitin 2004. Ai është çifut që në vitet e dyzeta punonte si mjek, por me emër të rremë. Një mjek tjetër që e kishte organizuar gënjeshtrën për shpëtimin e jetëve ishte Giovani Borromeo.

Më vonë, spitali Fatebenefratelli u nderua me titullin “Shtëpia e Jetës” nga Fondacioni Raoul Wallenberg, organizatë amerikane për nderimin e  veprave heroike gjatë Holokaustit, shkruan “Quartz”.

96-vjeçari Osscini e kishte dhënë një intervistë për gazetën La Stampa, ku kishte folur për sëmundjen e shpikur:

“Sindromi K shkruhej në letrat e pacientëve për të lënë të kuptohej se ata nuk ishin fare të sëmurë, por thjesht çifut. I krijonim ato dokumente për çifutët sikur të ishin pacientë të rëndomtë dhe kur na duhej të tregonim se nga cila sëmundje vuanin, ne thoshim se është Sindromi K, që nënkuptohej se po e pranojmë në spital një çifut, sikur ai të ishte i sëmurë, por të gjithë ishin të shëndoshë”, tha ish-mjeku.

“Mësimi që e nxora nga përvoja ime ishte se ne duhet të veprojmë në bazë të parimeve, e jo spias interesit personal. Gjithçka tjetër është e turpshme”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)