Bajrami: Projekti i mësimit në distancë po shënon sukseset e para

  • 06 April 2020 - 20:01
Bajrami: Projekti i mësimit në distancë po shënon sukseset e para

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë se mësimi në distancë po tregon rezultatet e para derisa ka falënderuar nxënësit, studentët, prindërit, mësuesit, arsimtarët dhe profesorët e të gjitha niveleve për përkushtimin e tyre në ëktë kohë pandemie.

‘’Projekti i mësimit në distancë po shënon sukseset e para. Nxënësit, studentët, prindërit, mësuesit, arsimtarët dhe profesorët e të gjitha niveleve meritojnë sot një duartrokitje dhe falënderim të madh për punën që kanë bërë për të realizuar në praktikë mësimin në distancë. Gjithë kjo punë vullnetare po bëhet në kohën kur Kosova po përballet dhe po lufton për çdo ditë për ta mposhtur COVID-19. Prandaj, shfrytëzoj rastin edhe një herë të ju thërras të respektoni udhëzimet e institucioneve shëndetësore për të qëndruar në SHTËPI.’’, ka thënë ajo.

‘’Qëndrimin mbyllur brenda shtëpive dhe banesave po mundohem t’ua bëjmë më të lehtë përmes aktivizimit të fëmijëve tuaj në procesin mësimor. Kemi filluar javën e tretë të mësimit në distancë. Falë punës së madhe të një ekipi të shkëlqyeshëm sot kemi qenë në gjendje që të transmetojmë 29 njësi mësimore për klasat 1 deri 9, kështu do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim. Por, projekti i mësimit në distancë nuk kufizohet vetëm në transmetimin e mësimit në RTK. Mësimi në distancë përfshinë të gjithë ata nxënës, studentë dhe mësimdhënës të cilat sot janë në komunikim në baza ditore. Andaj në emër të MAShTI-it dhe timin personal dua të ju falënderoj gjithë ekipin që projektin e mësimit në distancë tanimë e ka kthyer në sukses.’’, shtoi ajo në një shkrim në Facebook.

(Kosova Sot Online)