Nisma në Malishevë: Qeveria po e injoron komunën më të prekur nga COVID 19

  • 07 April 2020 - 13:37
Nisma në Malishevë: Qeveria po e injoron komunën më të prekur nga COVID 19

Dega e Nismës në Malishevë ka shprehur pakënaqësinë e saj me trajtimin që po i bën qeveria e vendit kësaj komune pavarësisht se është komuna më e prekur nga COVID-19 në Kosovë.

Në një konferencë për media, Vesel Krasniqi, në emër të degës ka thënë se kjo komunë është harruar në tërësi nga qeveria në largim.

Ai ka thënë se është e çuditshme se si kryeministri gjen kohë të vizitoj mediumin publik dhe komuna tjera ku ai ka elektorat, ndërsa nuk e viziton këtë komunë për t’i ofruar përkrahje.

Krasniqi ka thënë se as edhe një telefonatë të vetme nuk e ka bërë Kurti në drejtim të kryetarit të kësaj komune dhe këtë injorim ai ka thënë se po e bën qëllimisht.

“Kryeministri e ka futur komunën tonë që një muaj në karantinë, pa i dhënë asnjë ndihmë. Deri sot nuk kemi pas asnjë vizitë as nga ministri dhe zv-ministri përkatës e as nga kryeministri. Në situata si kjo krizë komuna që është në gjendje të rëndë vizitohet dhe mbështetet, por në vend të kësaj ai viziton komunat e mëdha dhe RTK-në, por jo Malishevën”.

Me këto veprime ai po tregon se për Kurtin Malisheva nuk paraqet interes dhe as nuk dëshiron ta vizitojë.

Më tutje ai ka shtuar se Malisheva dhe Llapusha ia kanë dalë edhe në rrethana më të vështira dhe do t’ia dalin edhe tash.

“Fal shpirtit solidar e luftarak do ta fitojnë edhe këtë betejë”.

Ai ka bërë thirrje për më shumë furnizime me masa mbrojtëse për stafin e qendrës së mjekësisë familjare dhe qytetarët e kësaj komune, duke kërkuar që të rritet numri i testimeve në këtë komunë.

Poashtu, në fund ai ka përmendur edhe diskriminimin që i ka bërë kjo qeveri Malishevës në projektbuxhetin për vitin 2020.

(Kosova Sot Online)