Rasti i 21-vjeçarit nga Suhareka të prekur me Covid 19, kërkohet t’u merren mostrat për analiza 20 familjarëve të tij

  • 07 April 2020 - 16:39
Rasti i 21-vjeçarit nga Suhareka të prekur me Covid 19, kërkohet t’u merren mostrat për analiza 20 familjarëve të tij

Mbrëmjen e së hënës është shënuar rasti I dytë me virusin COVID-19 në komunën e Suharekës. Një 21-vjeçar nga fshati Bllacë është konfirmuar me koronavirus. Megjithatë ai virusin sipas kryetarit të komunës së Suharekës, e ka marrë në Malishevë, aty ku dje u konfirmuan edhe 17 raste të reja, në mesin e tyre edhe ky i ri. Ky person sipas kryetarit Bali Muharremaj, është duke qëndruar në vetizolim në Banjë të Malishevës.

Gjatë ditës së djeshme, Instituti Kombëtari i Shëndetit Publik të Kosovës kumtoi lajmin se 20 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19.

17 nga ta ishin nga Komuna e Malishevës, në mesin e tyre 15 nga fshati Bajë i kësaj komune.

Por edhe një 21-vjeçar nga Suhareka është prekur me koronavirus. Ai infektimin e ka marrë në Bajë derisa po qëndronte tek miqtë e tij.

Detaje për këtë rast ka dhënë i pari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

“Personi i prekur me COVID-19 ka qëlluar në Banjë të Malishevës. Kemi kërkuar që t’u mirren mostrat rreth 20 personave që janë familjarë të të prekurit. I prekuri me koronavirus është nga fshati Bllacë i Suharekës”, ka thënë Muharremaj.

Muharremaj ka treguar se rasti i parë që ishte konfirmuar me koronavirus në komunën e Suharekës tashmë është shëruar.

“Rasti i parë që ka qenë është shëruar. Të premten e kemi marrë dhe tani ndodhet në familjen e tij”, ka thënë Muharremaj.

Ndërkohë, kreu i Suharekës ka theksuar se tashmë fshati Bllacë është në vetizolim, derisa të hetohen të gjitha kontaktet e mundshme të 21-vjeçarit të prekur me koronavirus.

“Fshati  është në vetizolim, kam takuar edhe kryesuesit e fshatit sot, kemi biseduar edhe për masat që kemi ndërmarrë e po ndërmarrim në vazhdimësi”, ka theksuar Muharremaj.

Muharremaj ka thënë se në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Suharekë ka neojë për furnizim me materiale shpenzuese.

“Kemi nevojë për rroba mbrojtëse për personelin mjekësor, maska, dezinfektues e dorëza”, ka deklaruar Muharremaj.

E numri i personave të prekur me koronavirus në Kosovë tashmë ka shkuar në 170.,25 janë shëruar ndërkaq 4 kanë vdekur si pasojë e virusit COVID-19.

Ndërkohë, sipas raportit ditor nga Klinika Infektive e QKUK-së, nga gjithsej 61 pacientë të hospitalizuar, 47 janë me coronavirus, ndërkaq për 10 raste piten rezultatet e mostrave, kurse 4 raste kanë rezultuar negativ në Covid-19.

41 kanë gjendje stabile, 4 raste kanë nevojë për oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, 2 pacientë ndodhen në mjekimin intensiv, janë në gjendje të kritike dhe në ventilim mekanik.

(Kosova Sot Online)