Ministrisë dhe IKSHP’së u kërkohet ta rrisin numrin e analizave për COVID 19

  • 07 April 2020 - 18:55
Ministrisë dhe IKSHP’së u kërkohet ta rrisin numrin e analizave për COVID 19

Për dy muaj, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, janë testuar vetëm 2 mijë e 106 mostra të dyshimta me virusin SARS-COVID-19. Prej këtyre mostrave, 170 kanë dalë pozitive. Derisa ka qytetarë të cilët po presin për t’i kryer testimet për koronavirus, testimet që po bëhen çdo ditë, nuk po shihen si të mjaftueshme për OJQ-të dhe disa nga partitë politike në vend. Madje, gjatë të martës ka pasur kritika ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së, se duhet të rritet numri i testimeve. Derisa Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale para dy ditësh ka njoftuar se i ka dhënë IKSHPK-së një pajisje që mund të shërbejë në rritjen e tetimeve. E IKSHPK nuk po tregon se a kanë futur në përdorim këtë pajisje.

Pesë raste të reja me COVID-19 u konfirmuan mesditën e së martës në Kosovë. Derisa u shënua edhe viktima e katërt nga koronavirusi.

Të mërkurën bëhen dy muaj prej kur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i Kosovës ka nisur testimet e mostrave të dyshuara për virusin COVID-19.

Për 60 ditë në Kosovë janë kryer 2 mijë e 106 testime, derisa 170 persona kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Nga 170 persona të konfirmuar, tashmë janë shëruar 25 derisa betejën me koronavirusin e kanë humbur 4 prej të infektuarëve.

Gjatë ditës së sotme, janë testuar 13 mostra, nga të cilat 5 kanë rezultuar pozitive. E të hënën u testuan 129 mostra, nga të cilat 20 dolën të prekur me COVID-19.

Përgjatë muajit prill, kryesisht çdo ditë janë testuar më shumë se 100 mostra.

E gjatë muajit mars, ka pasur ditë që janë testuar rreth 40 mostra në ditë.

Të gjitha këto testime që po bëhen në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, dikush po i konsideron të pakta.

Rrjeti i OJQ-ve AVONET, të martën ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK-në për numrin e vogël të testimeve.

AVONET, ka kërkuar nga ministri Arben Vitia dhe drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, që të rritet numri i testeve dhe të përfundojnë sa më parë testimet e vatrave që potencialisht po janë me numër më të madh të të infektuarve.

E për këto deklarata të AVONET, ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë. Përmes një komunikate MSH-ja tha se ata që përhapin panik do të dënohen sipas ligjeve në fuqi.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike shprehin shqetësimin e saj për deklarimet e pakujdesshme, të papërgjegjshme dhe të paargumentuara të një organizate joqeveritare lidhur me menaxhimin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19 në Kosovë. Dezinformimi dhe krijimi i panikut në situata të emergjencës së shëndetit publik, është akt i dënueshëm me ligjet në fuqi”, thuhet në reagimin e MSH-së.

Ndërkohë, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, para pak ditësh ka njoftuar se pajisja RT PCR e cila mund të shërbejë në rritjen e testimeve për COVID-19, i është dhënë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.

“Sipas rekomandimeve të ECDC dhe OBSH, që rritja e numrit të testimeve ndihmon në pengimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) lëshon njoftimin se nga data 02.04.2020 i është huazuar Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës pajisja e PCR në mënyrë që të ju shërbejë në rritjen e numrit të testimeve për COVID-19”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

E për këtë pajisje, ka dërguar pyetje në IKSHPK, për të kuptuar nëse mund të shtohet numri i testimeve, mirëpo të njëjtit nuk e kanë parë të arsyeshme të kthejnë ndodnjë përgjigje.

Derisa thirrje për t’u kryer më shumë testime për COVID-19 gjatë ditës së sotme ka bërë edhe kreu i PDK’së, Kadri Veseli.

“Nuk janë me rëndësi statistikat sa është me rëndësi a kemi njerëz të infektuar ose jo. Në gjithë regjionin e Ferizajt po flasim për vetëm 22 testime. Duhet të ketë më shumë testime në mënyrë që të ndalet zinxhiri i infektuesve të cilët mund ta bartin pa vetëdijen e tyre virusin të familjarët, qyteti i tyre dhe në tërë Kosovën”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë doli me një thirrje ndaj vendeve të ndryshme të botës se nuk po bëjnë teste sa duhet për të zbuluar të prekurit me koronavirus. Shefi i institucionit kërkoi që të mos tolerohet askush dhe të testohen të gjitha rastet e dyshuara.

Tedros Adhanom Ghebreyesus përsëriti një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj këtyre vendeve “Testoni, testoni, testoni”.

E persona që po presin të testohen për koronavirus ka edhe në Kamenicë.

Gjatë të hënës, kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati, i ka thënë  se janë 114 persona të cilëve pritet t’u bëhen testimet për koronavirus, pasi dyshohet të kenë pasur kontakt me personat e prekur nga fshatri Topanicë e kësaj komune.

33 persona të tjerë që po presin për të kryer testimet për koronavirus janë nga Vushtrria.

Derisa edhe në Suharekë pritet t’u merren mostrat 20 familjarëve të 21-vjeçarit të prekur me koronavirus nga kjo komunë.

Deri më tani, në Kosovë janë konfirmuar 170 raste me koronavirus, 25 deri më tani janë shëruar, ndërkaq 4 kanë vdekur.

(Kosova Sot Online)