Besuan që alkooli i shëron nga koronavirusi, deri më tani kanë vdekur 600 iranianë

  • 08 April 2020 - 10:31
Besuan që alkooli i shëron nga koronavirusi, deri më tani kanë vdekur 600 iranianë

Zëdhënësi i organeve të drejtësisë në Iran, Gholam Esmaili, ka thënë se mbi 600 persona kanë vdekur në këtë shtet pasi përdorën pije me përqindje të lartë të alkoolit duke besuar se ato i shërojnë nga koronavirusi.

Përpos të vdekurve, ky zyrtar bëri të ditur se rreth 3 mijë persona janë dërguar në spital për shkak të problemeve shëndetësore pas përdorimit të pijeve alkoolike, shkruan “Daily Mail”.

“Numrat janë shumë të mëdhenj dhe shkojnë përtej pritjeve tona. Konsumimi i alkoolit nuk është shërim, ai mund të jetë vdekjeprurës”, tha Esmaili.

Duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve, ai shtoi: “Disa persona i kemi arrestuar dhe do të merremi me ta në mënyrë të vendosur. Ata duhet të japin llogari për veprimet kriminale, për lëndimin dhe vdekjen e qytetarëve.”

Irani është vendi më i prekur nga koronavirusi në Lindjen e Mesme. Deri më tani, në këtë shtet janë shënuar mbi 62 mijë raste të infketimeve dhe 3,872 vdekje nga virusi i ri.

(Kosova Sot Online)