Ekonomia franceze në recesion, pëson rënien më të madhe që nga viti 1945

  • 08 April 2020 - 15:35
Ekonomia franceze në recesion, pëson rënien më të madhe që nga viti 1945

Me rënien më të madhe që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ekonomia e Francez u tkurr për rreth 6 për qind gjatë çerekut të parë të këtij viti. Lajmin e bëri të ditur Banka e Francës dhe arsyeja e rënies është zvogëlimi i aktivitetit ekonomik për shkak të pandemisë.

Në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, ekonomia franceze ishte zvogëluar për vetëm 0.1 për qind. Pas dy tremujorëve me rënie, vendi tashmë është teknikisht në recesion ekonomik, shkruan “France24”.

Banka Qendrore e Francës raportoi se aktiviteti ekonomik gjatë dy javëve të fundit të marsit ra për 32 për qind, në kohën kur u thellua kriza e koronavirusit.

“Duhet të kthehemi në çerekun e dytë të vitit 1968 për të gjetur rënie të ngjashme të aktivitetit ekonomik”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se edhe atëherë rënia ishte 5.3 për qind, më e vogël se këtë vit.

Franca ka vendosur masa të rrepta të izolimit që nga 17 marsi dhe ato do të mbesin në fuqi të paktën deri më 15 prill. Autoritetet kanë paralajmëruar se masat mund të zgjaten, nëse gjendja nuk përmirësohet.

Banka Qendrore e Francës njoftoi se sektorët më të prekur nga kriza e koronavirusit janë ndërtimtaria, transporti, restorantet dhe sektori i qirave.

(Kosova Sot Online)