Çifti nga Peja që ushqen çdo ditë qentë endacak

  • 08 April 2020 - 16:13
Çifti nga Peja që ushqen çdo ditë qentë endacak

Çifti Besnik dhe Nezafete Lajçi, sikur edhe gjithë të tjerët, po i përjetojnë këto ditë izolimi, si pasojë e pandemisë COVID-19.

E përveç respektimit të rregullave gjë që po kërkohet vazhdimisht, ky çift tash e dy javë ka ndërmarrë një iniciativë.

Duke qenë adhurues të kafshëve, Besniku dhe Nezafetja dalin çdo ditë në qytetin e Pejës dhe ushqejnë qentë endacak.

Me të parë këtë gjest, indiferent nuk janë treguar as qytetarët e tjerë, të cilët kanë ofruar ndihmë me mundësitë e tyre.

Ky hap nuk mbeti pa u parë edhe jashtë kufijve të Kosovës. Madje, pos vlerësimeve e komenteve pozitive, ka pasur edhe një donacion nga një organizatë zvicrane.

Por, Besniku nuk la pa kritikuar Komunën e Pejës si dhe institucionet përgjegjëse, të cilat sipas tij, nuk po kujdesen për kafshët në këtë periudhë.

Ndryshe, çifti tregoi se pasi gjendja t’i kthehet normalitetit, ka menduar diçka të veçantë rreth vetëdijesimit për kafshët, respektivisht për qentë.

Deri më tani, shifra e shpenzimeve të çiftit për ushqyerjen e qenëve endacak, kap shumën prej 600 eurosh.


(Kosova Sot Online)