Projeksionet e Ministrit: Keni durim, në fund të muajit do të ketë rënie të rasteve me COVID 19

  • 08 April 2020 - 17:16
Projeksionet e Ministrit: Keni durim, në fund të muajit do të ketë rënie të rasteve me COVID 19

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë thirrje që qytetarët të kenë durim edhe për disa jave dhe se në fund të prillit, sipas tij, do të ketë rënie të rasteve me Covid 19 në Kosovë.

Nga aeroporti i Prishtinës, ku priti ndihmat e ardhura nga Turqia, ministri në detyrë ka folur për gjendjen në javët në vijim.

Vitia thotë se qytetarët duhet të qëndrojnë nëpër shtëpi dy ose tri javët e ardhshme, e pas tyre ai pret rënie të rasteve të infektuara.

“Ju bëjë thirrje, që përkundër që kemi një mot të mirë, të qëndrojmë në shtëpi, të kemi durimin edhe për dy deri në tri javët e ardhshme, dhe t’I ndjekim rekomandimet dhe në fund të muajit, sipas të gjitha parashikimeve, do të ketë rënie të pikut edhe bazuar në situatën që gjendet në shtetet tjera. Të kemi durim edhe këto dy-tri javë”, ka thënë Vitia.

Ai ka përmendur rastin e fshatit Stubëll të Vitisë, ku ishte regjistruar rast i parë me koronavirus në Kosovë. Vitia thotë se banorët e atij fshati kanë treguar shembull të mirë duke iu përmbajtur rregullave të izolimit, e tash patën suksese, duke mos u shpërndarë virusi. 

(Kosova Sot Online)