Lajcak duhet t’u raportojë shefave në shtator për arritjet në dialogun Kosovë –Serbi

  • 08 prill 2020 - 17:32
Lajcak duhet t’u raportojë shefave në shtator për arritjet në dialogun Kosovë –Serbi

Këshilli i Bashkimit Evropian ka caktuar sllovakun Miroslav Lajcak si Përfaqësues Special për dialogun Prishtinë-Beograd më 2 prill. Diplomatit sllovak në mandatin e tij një vjeçar në këtë post i është caktuar edhe përgatitja e një raporti të progresit për punën e tij si ndërmjetësues i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë deri më 30 shtator 2020.

Në uebfaqen zyrtare të Bashkimi Evropian për ligjet dhe dokumentet tjera publike, gjendet edhe vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian i datës 2 prill për caktimin e Përfaqësuesit Special për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështjet e tjera rajonale për Ballkanin Perëndimor.

Vendimi i protokulluar i postuar në uebfaqen zyrtare të BE-së përmbanë 14 pika që shpjegojnë në detaje përgjegjësitë dhe detyrat e Përfaqësuesit Special Miroslav Lajcak për mandatin e tij për dialogun Prishtinë-Beograd.

Në pikën 13 të këtij vendimi bëhet e ditur se Përfaqësuesi Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak duhet t’ia prezantojë një raport progresi, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian.

“Zbatimi i këtij vendimi dhe përputhshmëria e tij me kontributet e tjera nga Unioni në rajon do të rishikohen rregullisht. Përfaqësuesi Special i BE-së do të paraqesë nje raport të progresit para Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Këshillit dhe Komisionit deri më 30 shtator 2020 dhe një raport gjithëpërfshirës për zbatimin e mandatit deri më 31 janar 2021”, thuhet në pikën 13 të vendimit.

Mandati i sllovakut Lajcak si Përfaqësues Special i dialogut do të zgjasë për një periudhë 12 mujore, nga data 2 prill 2020 deri më 31 mars 2021.

Ndërkaq sot, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka prezantuar edhe letërshkëmbimin me Përfaqësuesin Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Kurti në letrën e tij drejtuar sllovakut Lajcak ka përmendur edhe obligimin e tij kushtetues që të udhëheqë me dialogun, si dhe planin e tij për krijimin e një ekipi negociator ku është edhe Presidenti aktual Hashim Thaçi i propozuar si anëtar i ekipit së bashku edhe me kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike në vend.

Ndërkaq në letrën e Përfaqësuesit Special, Miroslav Lajcak për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti ai ka shprehur interesimin që të takohet me shefin e qeverisë në detyrë në një të ardhme të afërt pas kapërcimit të krizës me Covid-19.

(Kosova Sot Online)