Apeli i Ministrit Vitia: Edhe 3 pacientë i kemi në rrezik, mendohuni mirë para se të dilni nga shtëpia

  • 08 April 2020 - 23:12
Apeli i Ministrit Vitia: Edhe 3 pacientë i kemi në rrezik, mendohuni mirë para se të dilni nga shtëpia

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë thirrje për kujdes të jashtëzakonshëm pasi edhe një paciente që ishte e ifnektuar me Covid-19 humbi jetën. Vitia ka kërkuar që qytetarët të kenë mirëkuptim, si dhe ata që e kanë të domosdoshme të dalin nga shtëpitë të tregojnë kujdes të jashtëzakonshëm për të kaluar këtë krizë.

‘’Shumë të dashur bashkëqytetarë të vendit tonë. Të nderuara gra e vajza, djem e burra të Republikës sonë. Sonte në betejë me virusin corona e humbëm dhe një paciente, grua, nënë, motër, qytetare e jona. Ngushëllime familjes dhe të afërmeve të tyre me pikëllim. Mjekët e infermierët, laborantët e epidemiologët janë duke bërë gjithçka që ka kapacitet qenia njerëzore për të shpëtuar jetë. Por edhe tre pacientë të tjerë janë në gjendje kritike e në rrezik të lartë.’’, ka shkruar ai.

‘’Çdonjeri prej jush ka shumë detyrime në jetë. Prej atyre që nuk e ndalin dot punën e deri tek ata/ato që furnizojnë dhe i shërbejnë familjes. Ju mirëkuptojmë pa dyshim por ju thërrasim për kujdes të JASHTËZAKONSHËM kur dilni dhe kur ktheheni në shtëpi.’’, shtuar ai.

Tutje Vitia ka bërë lutje që të ndalohen vizitat tek të afërmit, si dhe të kufizohen daljet pa nevojë nëpër qytete apo fshatra.

‘’Ju lutem!ZERO mirëkuptim për këdo që këto ditë të vështira, po del nëpër qytet a fshat pa arsye madhore, për ata që po i vijojnë vizitat si mysafirë tek te afërmit, apo ata të cilët praktikisht po e lenë në bast jetën e tyre dhe të familjes së tyre. Le të mos luajmë me rrezikun e cenimit të shëndetit personal e kolektiv. Mbrojtja e jetës është detyrë mbi detyrat. Nuk na falet që me shkujdesje ta cenojmë.’’, ka thënë ai.

Tutje Vitia ka bërë thirrje ndaj qytetarëve që të mbajnë higjienën dhe të ruajnë distancën. Po ashtu, ai ka thënë që qytetarët duhet të mendohen mirë para se të amrrin vendim për dalje nga shtëpia dhe që të mos thirren mysafirë nëpër shtëpi.


(Kosova Sot Online)