Vdes gruaja që zbuloi aferën e Clinton me Monica Lewinsky

  • 09 prill 2020 - 09:46
Vdes gruaja që zbuloi aferën e Clinton me Monica Lewinsky

Ka vdekur shërbyesja civile amerikane, e cila zbuloi aferën midis Bill Clinton dhe një parktikanteje në Shtëpinë e Bardhë – që gati sa nuk i dha fund presidencës së tij.Linda Tripp, ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare pasi humbi betejën me kancerin e pankreasit, kanë njoftuar familjarët e saj të mërkurën.Incizimet që Tripp ua kishte bërë bisedave të saj me Monica Lewinsky u bënë thelbësore në gjyqin e mosbesimit ndaj Presidentit Clinton, në vitin 1998.

Ish-shërbyesja civile, e cila punonte në Pentagon dhe kishte një miqësi me Lewinsky-n përkundër dallimit rreth 24 vjeçar në moshë, mësoi se kjo e fundit kishte kryer marrëdhënie seksuale me presidentin dhe filloi t’i incizonte fshehurazi bisedat e tyre në vitin 1997.

Tripp ia dorëzoi incizimet Kenneth Starr, prokurorit special që drejtoi hetimin ndaj Administratës Clinton.Ajo gjithashtu zbuloi se Lewinsky kishte një fustan blu, i cili pretendohej se ishte ndotur nga sperma e presidentit – një detaj që ngeli në imagjinatën e publikut.

Skandali seksual nxiti hetimit për mosbesim ndaj Clinton nga Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga republikanët në vitin 1998, ku u gjet se kishte bërë mashtrim duke gënjyer për marrëdhënien.Ai u shfajësua nga Senati, por beteja e shëmtuar politike u pa si një pararojë e ndarjes së mëtutjeshme në politikën amerikane, e cila u bë më e hidhur në vitet pasuese.

(Kosova Sot Online)