Pas kritikave, të infektuarit me COVID 19 në Veri përfshihen në njoftimet e IKSHP’së

  • 09 April 2020 - 11:05
Pas kritikave, të infektuarit me COVID 19 në Veri përfshihen në njoftimet e IKSHP’së

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka filluar që në njoftimin për rastet e reja me COVID-19, të përfshijë edhe rastet nga komunat e banuara me shumicë serbe.

Deri më tani të dhënat për rastet me koronavirus nga komunat me shumicë serbe janë raportuar në Serbi.

Sipas IKSHP’së, në Mitrovicën e Veriut deri tani janë të konfirmuara 20 raste, në Zveçan 10 raste, tri raste në Leposaviq dhe dy raste në Zubin Potok.

Partia Demokratike e Kosovës kishte qenë e zëshme ndaj Qeverisë Kurti duke thënë se ka lejuar të futen mjekë nga Serbia në Veri duke kritikuar po ashtu edhe për mospërfshirjen e të infektuarve në raportet e institucioneve në Prishtinë.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 14 raste të reja me koronavirus. Me këto shifra, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 124.

“Sot, më 08 prill 2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 218 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, gjithsej katërmbëdhjetë (14) prej tyre kanë rezultuar pozitive”, njofton IKSHP’ja.

Të infektuarit janë nga Vushtrria, Malisheva, Prishtina, Mitrovica e Veriut, Suhareka, Klina, Lipjani dhe Zveçani.

“Rastet pozitive të sotme janë raste kontakti, katër (4) prej tyre me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri, dy (2) me vendbanim në Banjë- Malishevë, dy (2) me vendbanim në Prishtinë, dy (2) me vendbanim në Mitrovicë të Veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet Bllacë-Suharekë, Gjurgjevik-Klinë, Krojmir-Lipjan dhe Zveçan”, thuhet në njoftim.

Betejën me koronavirusin e kanë humbur gjashtë persona, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, derisa numri i përgjithshshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej tridhjetë e shtatë.

Rastet e para me koronavirusin e ri në Kosovë u regjistruan më 13 mars.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

(Kosova Sot Online)