Samiti i Parisit që s’po mbahet kurrë, Macron ia përmendi përsëri Kurtit

  • 09 April 2020 - 11:10
Samiti i Parisit që s’po mbahet kurrë, Macron ia përmendi përsëri Kurtit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka zhvilluar sot një telefonatë me kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurtin, me të cilin ka diskutuar edhe për dialogun Prishtinë-Beograd.

Siç ka njoftuar zyra për media e kryeministrit, Macron në këtë telefonatë me Albin Kurtin, ka përsëritur edhe një herë synimin e tij për organizimin e një Samiti në Paris, bashkë me Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian.

Macron, siç citohet në njoftimin e zyrës së kryeministrit, ka thënë se një Samit të tillë do ta organizojë sapo të krijohen kushtet e duhura.

“Më pas, Presidenti francez dhe Kryeministri folën për dialogun dhe angazhimin përkatës për një përgatitje të vërtetë dhe për një pjesëmarrje të vërtetë të palëve në këtë dialog. Në këtë perspektivë, presidenti Macron shprehu mbështetjen e tij për rifillimin e qarkullimit të mallrave mes Kosovës dhe Serbisë. Ai premtoi rritjen e rolit të Francës dhe të atij vetë në lehtësimin e dialogut. Ky do të jetë, sipas tij, edhe synimi i samitit të Parisit për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, samit i organizuar nën drejtimin e Francës dhe Gjermanisë, me Bashkimin Evropian, sapo të krijohen kushtet e duhura”, citohet të kenë biseduar Macron-Kurti.

Ky komunikim i Kurtit me Macron, vjen pas shkëmbimit të letrave me emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak. Në këtë letër Kurti kishte shprehur gatishmërinë për të rinisur dialogun me Serbinë, duke potencuar se në tryezë assesi nuk do të duhej të diskutohej për harta e korrigjim kufijsh.

Macron synimin për organizimin e një Samiti në Paris ia kishte përmendur Kurtit edhe në letrën e shkruar më 14 shkurt. Në këtë letër Macron kishte kërkuar heqjen e taksës nga Kosova, me qëllim të rinisjes së dialogut me Serbinë.

Samiti i Parisit që e përmend Macron, ishte planifikuar të organizohej në korrikun e vitit 2019, pas Samitit të mbajtur në Berlin. Megjithatë një takim i tillë kishte dështuar meqë qëndrimet për taksën 100% nuk kishin ndryshuar.

(Kosova Sot Online)