Veseli për Ditën e Kushtetutës: Ky dokument është aty për të na mbrojtur nga despotët

  • 09 April 2020 - 11:41
Veseli për Ditën e Kushtetutës: Ky dokument është aty për të na mbrojtur nga despotët

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në 12 vjetorin e miratimit të Kushtetutës ka thënë se ajo shënoi moment historik për konsolidimin e shtetësisë. 

Ai ka uruar qytetarët, teksa ka shtuar se ky dokument i mbron nga ‘despotët’.

Postimi i tij në Facebook:

Miratimi i Kushtetutës së Kosovës 12 vite më parë, shënoi një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë sonë si dhe për të ardhmen e popullit tonë. Ne krenohemi që kemi një ndër kushtetutat më moderne, e cila ka mishëruar praktikat më të avancuara dhe standardet më të larta në Evropë. Ky dokument themeltar i shtetit tonë, bazohet tek parimi i konstitucionalizmit, një ide evropiane që zanafillën e ka në epokën e iluministëve, të cilët nëpërmjet këtij parimi u përpoqën dhe ia dolën me sukses të kufizonin absolutizmin monarkik.

Në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut. Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë. Urime të gjithëve për 9 prillin, Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!

(Kosova Sot Online)