Zbuten kufizimet në Kroaci, fillon hapja e tregjeve

  • 10 prill 2020 - 12:23
Zbuten kufizimet në Kroaci, fillon hapja e tregjeve

Kroacia ka nisur të rihapë tregjet e ushqimeve e fruta-perimeve pasi qëndruan mbyllur për disa javë.

Megjithatë, publiku duhet të respektojë distancimin social dhe të mos krijojë radhë.

Qeveria dha udhëzime shumë të specifikuara që duhet të ndiqen nga qytetarët me rreptësi të madhe, këto ditë para Pashkëve.

Do të jetë e detyrueshme të mbahet distanca prej të paktën 3 metrash midis shitësve dhe blerësve, si dhe nuk duhet të krijohen radhë.

Dyqanet e kanë të detyruar që t’u ofrojnë klientëve solucione dezinfektues për duart si dhe të ajrosin mjediset në mënyrë të rregullt.

Deri tani, numri i të infektuarve në vend ka shkuar në 1407, ndërsa të vdekurit janë 20.

Kroacia i vuri kufizimet më 19 mars, duke mbyllur të gjitha restorantet, lokalet, kinematë dhe dyqanet.

Përjashtim bënin vetëm dyqanet e ushqimeve, farmacitë dhe pikat e karburanteve.

Kufizimet u dhanë nga qeveria fillimisht për 30 ditë, por lehtësimet po bëhen dy ditë para pashkëve.

Komisioni Europian i ftoi sot të gjithë shtetet anëtare që të zgjasin edhe për 30 ditë të tjera mbylljen e kufijve, deri më datën 15 maj, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të COVID-19.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar Bashkimin Europian që të mos ulë masat kufizuese, por të dyfishojë përpjekjet për të mposhtur virusin Covid-19.

Situata e COVID-19 vazhdon të jetë e rëndë në disa shtete europiane.

(Kosova Sot Online)