Izolohen liderët e dy partive në Maqedoni, takuan gazetarin e infektuar

  • 10 April 2020 - 15:32
Izolohen liderët e dy partive në Maqedoni, takuan gazetarin e infektuar

Liderët e dy partive më të mëdha politike në Maqedoni të Veriut Zoran Zaevi i LSDM-së dhe Hristijan Mickoski i VMRO-DPMNE-së prej sot janë në izolim shtëpiak. Kështu njoftoi Ministri I Shëndetësisë Venko Filipçe gjatë një conference të jashtëzakonshme për media.

Ata janë në izolim të detyrueshëm për shkak se kishin qenë mysafir në një media ku ishin intervistuar nga një gazetar I cili ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

“Zaev dhe Mickoski janë testuar për koronavirus. Rezultati I Mickoskit që ishte përpunuar mbrëmë vonë është negativ, por ai do të mbetet në vet-izolim të detyrueshëm për 14 ditë . Rezultati I liderit të LSDM-së Zoran Zaev do të jetë gati gjatë ditës së sotme. Pas marrjes së informacioneve edhe ai është vënë në izolim shtëpiak”, tha Filipçe.

Gazetari që kishte intervistuar dy liderët gjatë javës së kaluar, është shtruar  në Spitalin “ 8 Shtatori” në Shkup dhe sipas informacioneve gjendja e tij është stabile.

Përmes Facebookut janë prononcuar edhe dy liderët. Mickoski ka theksuar se situata e tij shëndetësore është e mirë dhe se do t`i respektojë rekomandimet e autoriteteve. Kreu socialdemokrat nga ana tjetër, tha se pret rezultatet, por se nuk ka simptoma të koronavirusit.

(Kosova Sot Online)