Syla: 100 ditët e Haradinajt ende mbahen mend, po ti Albin për çka do të kujtohesh?

  • 10 April 2020 - 21:45
Syla: 100 ditët e Haradinajt ende mbahen mend, po ti Albin për çka do të kujtohesh?

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, ka bërë një krahasim mes kohës së kryeministrit Albin Kurti në pushtet dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në herën e parë, kur Kosova ende nuk kishte shpallur pavarësinë.

Syla ka theksuar se Haradinaj, përkundër se me pak kompetenca dhe nën presionin e UNMIK-ut, kishte marrë vendime të guximshme .

“Në vitet para pavarësisë, që nuk janë shumë larg për t’i rikujtuar, qeveria vepronte me shumë pak kompetenca dhe vazhdimisht nën presionin e UNMIK-ut, shefi i së cilës kishte kompetenca pothuajse mbretërore. Në atë katrahurë pushteti, Ramush Haradinaj kishte kohë vetëm 100 ditë, para se ta dërgonin në Hagë për krime të imagjinuara e gatuara. Ato 100 ditë, mbahen mend për vendime të guximshme siç janë: inicimi i formimit për herë të parë të dy ministrive të rëndësishme, ministrisë së brendshme dhe asaj të drejtësisë (rendit dhe ligjit), inicimi në Kuvend i Ligjit për Familjet e Dëshmorëve dhe Invalidët e Luftës, si dhe plotësimi i një numri shumë të madh të të ashtuquajturave “standarde para statusit”, që rezultuan me pakon e Ahtisarit si bazë ligjore për pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Syla në Facebook.

Syla ka thënë se Kurti, përkundër se në shtet të pavarur, nuk ka arritur që të marr ndonjë vendim për të cilin do të mbahet mend. Prandaj, e ka pyetur publikisht Kurtin se për çfarë do të mbahet mend 50-ditëshi i tij.

“E tani, në shtet të pavarur, me të gjitha kompetencat, vjen burri i botës në pushtet me premtime e mashtrime, e nuk është i zoti lëre që ta mbaj pushtetin, po as të dal me ndonjë vendim për të cilin do mbahet mend, përpos shkarkimeve për emërime militantësh dhe heqjen e tarifës ndaj Serbisë pa asnjë kundërvlerë e pa nder. Për çka tjetër do mbahet mend 50 ditëshi yt Albin?”, ka theksuar Syla.


(Kosova Sot Online)