Mafia italiane po u jep ushqim falas familjeve të varfra

  • 11 April 2020 - 09:51
Mafia italiane po u jep ushqim falas familjeve të varfra

Në kohën kur Italia po bën përpjekje ta mbajë gjallë ekonominë në kohën e krizës së koronavirusit, autoritetet e këtij vendi kanë paralajmëruar se mafia është duke fituar përkrahje lokale përmes shpërndarjes së ushqimit falas për familjet e varfra që ndodhen në karantinë.

Javëve të fundit kanë qarkulluar pamje të grupeve të njohura mafioze duke shpërndarë produkte elementare për më të varfrit në rajonet jugore: Kampanja, Kalabri, Sicili dhe Pulia.

“Miliona njerëz punojnë në të zezën, që do të thotë se ata nuk kanë të ardhura për më shumë se një mua dhe nuk kanë ide se kur mund të kthehen në punë. Nëse shteti nuk ndërhyn së shpejti për t’i ndihmuar këto familje, mafia do t’i ofrojë shërbimet e veta, duke e vendosur kontrollin ndaj jetës së njerëzve”, tha Nicola Gratteri, hetues anti-mafia në zyrën e prokurorit të Katanzaros.

Ka pasur raportime se pronarët e dyqaneve të vogla në pjesën jugore të vendit janë përballur me presion për të ofruar ushqim falas, ndërsa policia po patrullon në dyqane për t’i parandaluar vjedhjet.

Ditëve të fundit, policia në Napoli e ka shtuar praninë në pjesët më të varfra të qytetit pasi disa persona të lidhur me grupin “Camorra”, grup mafioz napolitan, kanë organizuar shpërndarje të ushqimit.

Në Palermo, vëllai i një shefi të grupit “Cosa Nostra” ka shpërndarë ushqim në lagjen Zen, ku mafia ka prani të konsiderueshme. Më vonë ai tha se vetëm ka bërë bamirësi dhe i sulmoi gazetarët për raportimin, shkruan “The Guardian”.

Shpërndarja e ushqimit është një taktikë e vjetër sa vet mafia, ku shefat e saj fillimisht e bëjnë këtë veprim pa kërkuar asgjë si kundërshpërblim.

(Kosova Sot Online)