Kosova nuk mund të prodhojë teste për COVID-19, varet nga importi

  • 11 April 2020 - 10:08
Kosova nuk mund të prodhojë teste për COVID-19, varet nga importi

Shumë shtete tashmë kanë filluar të prodhojnë teste për të identifikuar COVID-19 për të mos krijuar varësi nga importi, por zyrtarë shëndetësorë në Kosovë thonë se vendi aktualisht nuk ka kushte për t’i prodhuar vetë.

Isme Humolli, zyrtare për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, i tha Radios Evropa e Lirë, se me kapacitetet që ka, Kosova nuk mund të jetë një vend që mund të prodhojë reagenca (substancë që ndikon në kryerjen e një reaksioni apo analize), pasi që kjo procedurë kërkon pajisje, ekspertizë, ambient dhe infrastrukturë të veçantë.

Pse testimi është i rëndësishëm për të rrafshuar lakoren e COVID-19?

Kjo nënkupton se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pohon se ka mbështetur Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, por gjithsesi, siç thotë zonja Humolli, sasia e reagencave që vjen nuk i përmbush gjitha nevojat dhe kërkesat e institucioneve të Kosovës.

“Fatkeqësisht departamenti i Mikrobiologjisë e posedon vetëm një pajisje dhe për ekstradimin e viruseve (nxjerrjen e virusit prej strishos) e bën me dorë, gjë që kërkon kohë të gjatë”, thotë Humolli, e cila gjithashtu shpjegon se OBSH-ja ka porositur një pajisje të veçantë për një punën të tillë, mirëpo për shkak të situatës aktuale arritja e dërgesës në Kosovë do të marrë kohë.

Kosova ka rreth 1,000 teste dhe pret edhe 7,000 të tjera

Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Mirsad Shkreta, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se testet për COVID-19, që i kanë blerë nga kompanitë private kanë ardhur nga Gjermania, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas ligjit, Ministria e Shëndetësisë nuk ka të drejtë të blejë teste, nëse një kompani farmaceutike nuk ka përfaqësi në Kosovë.

Kjo nënkupton se shteti i Kosovës nuk lidh kontratë drejtpërdrejt me kompanitë botërore, por me kompanitë farmaceutike vendore, që i përfaqësojnë barnat e tyre të regjistruara në Kosovë.

“Ne si Ministri e Shëndetësisë hapim konkurs publik për kompanitë farmaceutike vendore. Ata operatorë apo kompani farmaceutike që operojnë në Kosovë, na ofrojnë neve produktin në bazë të rekomandimeve që vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik. Aktualisht ne i kemi 1 mijë teste në stok, 7 mijë janë në ardhje e sipër, dhe po presim që në ditët ne vazhdim ta nënshkruajmë edhe një kontratë për 10 mijë teste të tjera. Të gjitha këto teste vijnë nga Anglia, Gjermani dhe Amerika”, tha Shkreta.

Kosova inicion procedurat e furnizimit me 10,000 teste për COVID-19

Shkreta tha se Kosova nuk ka kapacitete të prodhojë vetë teste, ndonëse e pranon se kjo çështje nuk është diskutuar asnjëherë brenda institucionit që ai punon.

“Për aq njohuri që i kemi, Kosova nuk ka kapacitete të tilla. Mundet dikush të na befasojë ndoshta për të mirë, por deri më tash nuk kemi informata që dikush mund ta bëjë një gjë të tillë”, tha ai.

Ndryshe, në mungesë të testeve për koronavirusin e ri, pasi e gjithë bota po i kërkon ato, shumë shtete kanë filluar t’i prodhojnë brenda territorit të tyre përmes kompanive private. Prodhimi i tyre kushton shumë dhe mund ta bëjnë vetëm kompani të mëdha të cilat prodhojnë edhe teste për të identifikuar viruse të tjera.

Problemi më i madh mbetet sa janë të sakta ato teste. Futja e tyre në treg kërkon një kohë të gjatë testimi dhe kontroll nga qeveritë.

Një pjesë e madhe e testeve që janë prodhuar në Kinë dhe janë shpërndarë në disa shtete, duke përfshirë edhe SHBA-në, thuhet se kanë qenë false dhe se ekziston rreziku që personat e testuar mund të jenë me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri, edhe pse testi ka dalë negativ.

OBSH rekomandon sa më shumë teste

Valbon Krasniqi, infektolog, i cili punon në Klinikë Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tha se deri më tani nuk është ndjerë ndonjë mungesë e testeve në Kosovë.

Ai shtoi se çdo kërkesë e Klinikës Infektive për teste, është kryer nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publik (IKSHP).

“Pacientët që vijnë me simptoma të sëmundjes në Klinikën Infektive në Prishtinë, ata shtrihen në klinikë, dhe secili testohet brenda ditës nga IKSHP. Testet në terren bëhen nga IKSHP varësisht nga anamneza që marrin për dyshime mbi COVID-19”, tha Krasniqi.

Raka: Testimi është një prej shtyllave për menaxhimin e COVID-19

Testimi i vazhdueshëm dhe në numër të madh shihet si një nga mënyrat më efikase për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Vetë OBSH ka dalë me rekomandimin që në fillim të përhapjes së virusit, për bërjen e testeve të vazhdueshme. Deri në zbulimin e vaksinës, vende të zhvilluara perëndimore përpjekjet janë duke i përqendruar në testimet në masë, për ta mbajtur situatën nën kontroll.

(Kosova Sot Online)