Shteti vihet në lëvizje për zbardhjen e identitetit të personit që kërcënoi Kurtin

  • 11 April 2020 - 12:54
Shteti vihet në lëvizje për zbardhjen e identitetit të personit që kërcënoi Kurtin

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me kërcënimin që i është bërë më 10 prill 2020, Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, është bërë me dije se Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke punuar për zbardhjen e identitetit të vërtetë të personit në fjalë.

“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke punuar për zbardhjen e identitetit të vërtetë të personit në fjalë, si dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është kërcënuar me jetë përmes rrjetit social Facebook mëngjesin e së premtes.

Kërcënimi ndaj kreut të Lëvizjes Vetëvendosje ka ardhur nga një person me emrin e Facebook-ut, Daniel Arianitti.

Ai ka thënë se jep dëmshpërblim prej 10 milionë eurove në këmbim “të kokës së Albinit”, të cilin e ka krahasuar me ish-liderin e Kubës, Fidel Castron.

“10 milion euro kush ma sjell kokën e Albinit, Fidel Castros, psikopatit shqiptar”, ka shkruar ai në Facebook.

(Kosova Sot Online)