Rreziku nga koronavirusi, 74 milionë arabë s’kanë mundësi t’i lajnë duart

  • 15 April 2020 - 19:59
 Rreziku nga koronavirusi, 74 milionë arabë s’kanë mundësi t’i lajnë duart

Rreth 74 milionë persona në rajonet arabe, të varfra në burime ujore, janë në rrezik të kontraktimit të COVID-19 për shkak të mungesës së qasjes me sendet e domosdoshme për larjen e duarve, paralajmëroi sot një agjenci e OKB.

Larja e duarve me ujë dhe sapun po shihet si parandalimi më i mirë kundër sëmundjes potencialisht fatale.

“Ky akt i thjeshtë dëshmon të jetë i vështirë në një rajon ku 74 milionë njerëz nuk kanë qasje në një strukturë themelore të larjes së duarve”, tha Komisioni Ekonomik dhe Social i OKB për Azinë Perëndimore (ESCWA) në një raport.

”Rreth 87 milionë njerëz në rajon gjithashtu nuk kanë qasje në një burim të përmirësuar të ujit të pijshëm në shtëpitë e tyre”, sipas raportit.

”Mungesa i ekspozon ata në një rrezik më të madh të infektimit pasi ata detyrohen të mbledhin ujë çdo ditë nga një burim publik”, tha agjencia.

“Është urgjente të sigurohet qasje në ujë të pastër dhe shërbime sanitare për të gjithë, pa asnjë kosto për ata që nuk mund ta përballojnë atë, në mënyrë që të shmanget përhapja e mëtejshme e koronavirusit”, theksoi kjo agjenci.

“Në Rripin e Gazës, një nga zonat më të dendura të populluara në botë, vetëm 1 në 10 familje ka qasje në ujë të pastër. Rreth 26 milionë refugjatë dhe persona të zhvendosur brenda rajonit janë gjithashtu në një rrezik më të madh të kontraktimit të COVID-19. Qasja te uji nuk duhet të përdoret si armë lufte”, sipas saj.

(Kosova Sot Online)