Shtatzëna 40-vjeçare preket nga koronavirusi në Kosovë

  • 15 April 2020 - 22:50
 Shtatzëna 40-vjeçare preket nga koronavirusi në Kosovë

Një grua shtatzënë ka rezultuar pozitive me koronavirus në Kosovë. Ajo ishte referuar nga Spitali i Gjakovës për në Qendrën Klinike Universitare për probleme shëndetësore neurologjike.

Gruaja (1980) në javën e 28-të të shtatzënisë, fillimisht ishte kontrolluar në Klinikën Gjinekologjike ndërkaq më pas ishte transferuar në Emergjencë për shkak të problemeve të natyrës neurologjike, shkruan Gazeta Shneta.

Testi i parë i kishte rezultuar negativ, ndërkaq sot i është bërë testi me mostra nga tubusi gjë që ka konfirmuar praninë e koronavirusit Covid-19.

Shtatzëna tani po trajtohet në njësinë intensive të Klinikës Infektive në QKUK.

Këtë e ka konfirmuar edhe infektologia Dr. Sadije Namani. Ajo ka treguar se gruaja ka rezultuar pozitive në koronavirus dhe tani është pranuar në Klinikën Infektive.

Rastet tjera në nivel të Kosovës pritet të publikohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nga mostrat e marra sot nga terreni dhe nga Klinika Infektive.

(Kosova Sot Online)