Kryesia e Kuvendit dështon t’i çojë përpara projektligjet lidhur me pandeminë

  • 16 April 2020 - 17:00
 Kryesia e Kuvendit dështon t’i çojë përpara projektligjet lidhur me pandeminë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka gjetur konsensus për të çuar përpara asnjë nga tri nismat legjislative që lidhen me luftimin e koronavirusit.

Një nga propozimet ka qenë Projektligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë “COVID-19” i propozuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryetarja Osmani e kishte filluar këtë nismë ligjore më mbështetje të pesë deputetëve dhe siç ishte thënë, nisma ishte iniciuar si rrjedhojë e kërkesave të cilat burojnë nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i datës 6 prill 2020, i cili specifikon rolin e Kuvendit në ndërmarrjen e masave të duhura për tu siguruar që kufizimet e nevojshme të të drejtave dhe lirive themelore më qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, janë bërë në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se nuk pasur pajtim mes anëtarëve të kryesisë për shkak se vendi është në një krizë politike.

Asnjë nismë ligjore, sipas Gashit nuk mund të shkojë më nga Kuvendi në Qeveri sepse Kuvendi ia ka hequr besimin Qeverisë së drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në kryesi u diskutuan edhe dy nisma të tjera të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe për shqyrtimin e masave shtesë për mbrojtje nga koronavirusi.

Të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

“Sipas vendimeve, lejohet qarkullimi i nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç, vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar javor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Ndërsa, për shtetasit e huaj, i njëjti vendim vlen me numrin e fundit të pasaportës”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu në vendime shpjegohen edhe mundësitë e lëvizjes në lidhje me të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës familjare dhe rastet e vdekjeve.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka arsyetuar masat e qeverisë që ai drejton, duke i konsideruar ato si mjaft të vështira, por të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Opozita, ndërkaq, i ka cilësuar masat e fundit të qeverisë si jokushtetuese dhe përpjekje për të mbijetuar në pushtet.

(Kosova Sot Online)