480 raste me COVID-19 në Kosovë, deri tani janë shëruar 84 të infektuar

  • 18 April 2020 - 08:05
480 raste me COVID-19 në Kosovë, deri tani janë shëruar 84 të infektuar

Që nga 13 marsi kur janë konfirmuar dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë, numri i të infektuarve me rastet e mbrëmshme ka arritur në 480. Deri tani, 84 prej të infektuarve janë shëruar plotësisht, derisa 12 pacientë kanë vdekur. Komuna me më së shumti raste është Ferizaj, pasuar nga Malisheva dhe Prishtina.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar mbrëmë se nga testimi i 209 mostrave të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore, kanë rezultuar të infektuar 31 persona.

“Sot më 17 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 209 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e një (31) raste”, ka njoftuar Instituti.

Sipas IKSHP’së, rastet e konfirmuara mbrëmë janë nga Ferizaj, Vitia, Prishtina, Fushë Kosova, Skënderaj, Shtimja, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: dhjetë (10) raste Ferizaj, tre (3) raste Mirash, një (1) rast Mirosal dhe një (1) rast Kosinë), nëntë (9) raste nga komuna e Vitisë ( sipas vendbanimit: tre (3) raste Viti, tre (3) raste Gushicë dhe tre (3) raste Pozharan), dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Miradi e epërme-Fushë Kosovë, Skenderaj, Vojnovc-Shtime, Sllatinë-Leposaviq dhe Zubin Potok”, thuhet në njoftim.

Instituti ka njoftuar edhe për shërimin e pesë pacientëve, bazuar në rekomandimet e OBSH-së.

Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë është raportuar për 480 persona të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Në mesin e tyre, 84 pacientë janë shëruar, ndërsa 12 persona kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

(Kosova Sot Online )