Administrata amerikane: S’keni nevojë t’i dezinfektoni mbështjellësit e ushqimeve

  • 18 April 2020 - 12:59
Administrata amerikane: S’keni nevojë t’i dezinfektoni mbështjellësit e ushqimeve

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve në Shtetet e Bashkuara ka thënë se nuk ka dëshmi që Covid-19 është transmetuar përmes pakove ushqimore ose mbështjellësve të ushqimit.

Megjithatë, sipas këtij institucioni, njerëzit mund t’i fërkojnë pakot e ushqimeve me letra dezinfektuese dhe t’i lënë ato të thahen në ajër si masë shtesë për parandalimin e përhapjes së virusit.

Dihet që virusi mbijeton në sipërfaqe të ndryshme për orë ose ditë të tëra, duke ngjallur frikë te shumë njerëz për mundësinë e infektimit përmes produkteve ushqimore ose gjërave të dërguara në shtëpi nga shitoret.

“Ky koronavirus shkakton sëmundje respiratore dhe përhapet nga njeriu në njeri, ndryshe nga viruset ushqimore, siç janë noroviruset ose hepatiti A, që shpesh përhapen përmes ushqimit të kontaminuar”, thuhet në deklaratën e Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve.

Ky organ gjithashtu kërkoi nga njerëzit që të blejnë ushqim të mjaftueshëm për një ose dy javë dhe t’i shmangin grumbullimet e mëdha.

Blerëve u rekomandohet edhe vendosja e maskës dhe mbajtja e distancës fizike prej së paku 1.8 metrave, shkruan “Daily Mail”.

(Kosova Sot Online)