Kurti po bën shaka me shpëtimin ekonomik duke lehtësuar ndërtimin e anijeve kozmike, thotë Haradinaj

  • 18 April 2020 - 14:10
Kurti po bën shaka me shpëtimin ekonomik duke lehtësuar ndërtimin e anijeve kozmike, thotë Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për tryezë të përbashkët që u ka bërë krerëve politikë në vend për të diskutuar menaxhimin me Covid-19. Haradinaj ka thënë se Kurti është duke bërë shaka me qytetarët me planin për shpëtimin e ekonomisë, raporton Gazeta Express.

Haradinaj në letrën dërguar Kurtit, e ka quajtur joserioz dhe shkelës të Kushtetutës.

Për më tepër Haradinaj i ka kujtuar Kurtit se është shkarkuar me 2/3 e votave në Kuvend dhe rrjedhimisht nuk ka legjitimitet politik e institucional.

Ai tutje ka thënë se Kurti po rrezikon ekonominë me vendimet e marra me të ashtuquajturin “shpëtim ekonomik”.

“Qasja dhe trajtimi me vendimet tuaja në raport me fushën e ekonomisë e kanë kufizuar dhe rrezikuar qëndrueshmërinë e qindar bizneseve që i përkasin sektorit të ndërtimit, prodhimit, tregtisë dhe shërbimeve. Joserioziteti juaj shpërfaqet edhe në dokumentet zyrtare në të ashtuquajturin plan për “shpëtimin ekonomik”, ku keni paraparë lehtësimin në rritjen e gamileve dhe deveve, kultivimin e frutave tropikale dhe subtropikale, ndërtimin e anijeve dhe barkave dhe prodhimin e aeroplanëve dhe anijeve kozmike.Kjo është joserioze dhe një shaka me dashje në llogari të qytetarëve dhe operatorëve ekonomik në vend”, ka shkruar Haradinaj në letrën dërguar Kurtit.

(Kosova Sot Online)