Myftiu Tërnava thotë se zjarri në xhaminë e Vërbocit mund të jetë vënë qëllimisht

  • 19 April 2020 - 22:01
 Myftiu Tërnava thotë se zjarri në xhaminë e Vërbocit mund të jetë vënë qëllimisht

Për qindra vjet, ezani u thirr nga ky ballkon. Por ka disa vite, që kjo xhami e vjetër në fshatin Vërboc të Drenasit, ka mbetur vetëm si monument historik.

E të premten, kjo xhami, u përfshi nga flakët, të cilat shkatërruan pothuajse gjithçka brenda saj.

E i pari që i pa flakët, ishte Jeton Kastrati, i cili menjëherë lajmëroi zjarrfikësit.

Në vitin 2014, afër saj u ndërtua edhe xhamia e re e fshatit Vërboc.

Por banorët këtu, thonë që xhamia e vjetër, kishte një rendësi të veçantë për fshatin.

Kastratit, thotë se  gjatë luftës kjo xhami kishte shërbyer edhe si vendstrehim për qindra refugjatë.

Ndërsa shton se edhe me herët dikush kishte tentuar të futet me forcë në xhami.

Ndërkohë të dielën për vizitë këtu, ishte edhe i pari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Ternava.

Pasi e shikoi nga afër demin, Ternava tha se ka dyshime që zjarri mund të jetë vënë qëllimshëm.

Ternava tha se kjo xhami bartë vlera të larta historike, prandaj ekspertet e BIK-ut do ta vlerësojnë dëmin e shkaktuar.

Nga këtu, Tërnava  ka kërkuar edhe ndihmën e institucioneve të tjera, që xhamia të kthehet edhe një herë siç ka qenë.

Ndërkohë, nga Policia e Kosovës, kanë thënë se janë duke e hetuar rastin.

Djegia e xhamisë së vjetër në fshatin Verboc, nga Policia e Kosovës është klasifikuar si zjarrevënie.

(Kosova Sot Online)